17 Qershor, 2021 - 7:58 pm
Shekspiri, po të jetonte në Tiranë, Romeon e Zhuljetën do t’i quante Faqebardhi dhe Bukuria.
Romeon dhe Zhuljetën i njohim të gjithë. Shekspirin po ashtu, e njohim.
Por, jo të gjithë e dimë që ndoshta në veprën origjinale, siç thuhet, Zhuljeta Kapuleti dhe familja e saj vinin nga Shqipëria.
Që mbiemri “Capuleti” (Kapuleti) vjen nga kapelet ose më mirë helmetat prej hekuri që mbanin ushtarët e ardhur në Itali nga Shqipëria në 1200-ën nën Republikën e Venedikut (burimi: Treccani)
Por, nuk dimë as që edhe Tirana kishte tragjedinë e saj analoge, si ajo e Romeos me Zhuljetën.
Atë e përbënin Bukuria dhe Faqebardhi.
“Oh Romeo, përse je ti, Romeo…!
“Oh Faqebardh, përse je ti, Faqebardh!”
Romeo dhe Zhuljeta tironas kanë ekzistuar vërtet, të paktën sipas legjendave dhe gojëdhënave të tironsave e banorëve të rrethinave të qytetit.
Nga lindin këto gojëdhëna urbane
Në rrugën Tiranë – Ndroq, nën një pemë të lartë, një rrap të moçëm gjendet një varr i madh që populli e njeh me emrin: “Varri i ashikut“. Thuhet se në atë varr janë varrosur që të dy të dashurit e pandarë edhe në jetën tjetër, Bukuria dhe Faqebardhi.
Varri i pati rezistuar mjaft luftërave, madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, u restaurua nga ushtarët italianë, të cilët aty afër kishin ngritur një repart të vetin.
Ngjarjen, populli e përcakton si me vendndodhje në një fshat afër Pezës. Faqebardhi ishte një djalë nga fshati Bozanxhije i Ndroqit.
Për këtë ngjarje ka shkruar në botimin e tij “Studime Shqiptare” edhe albanologu gjerman Johan Georg von Hahn në vitin 1850 – 1860 mbi udhëtimin e tij në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut.
Edhe historiani Kristo Frashëri e përmend këtë legjendë në botimet e tij mbi historikun e Tiranës.
Legjenda e dy të rinjve të dashuruar shpjegohet me tragjedinë që ndodh ditën e dasmës së Bukuries.
Bukurien e detyrojnë prindërit të martohet me një djalë kundër dëshirës së saj por, ajo donte Faqebardhin. Faqebardhi punonte si ndihmës në punishten e babait të Bukuries dhe ky i fundit e pati kundërshtuar me forcë lidhjen e tyre.
Ditën e dasmës së Bukuries, i dashuri i saj, Faqebardhi u del përpara krushqve që po shoqëronin nusen te dhëndri dhe u thotë që të ndalen e ajo martesë të pengohej sa ishin në kohë, pasi do të rezultonte një lidhje e gabuar. Krushqit nuk ia vënë veshin dhe vazhdojnë rrugën, atëherë Faqebardhi qëllon mbi nusen, të dashurën e tij, duke e vrarë. Më pas, shtrihet pranë saj dhe vret edhe veten.
Që aty, shpjegojnë gojëdhënat se ata u varrosën në të njëjtin varr në rrugën Tiranë – Ndroq, i ashtuquajturi “Varri i ashikut”.
Ja pra, që Shekspiri në Tiranë kishte një Zhuljetë e një Romeo tjetër. Më saktë, rreth Pezës homologët e personazheve të veprës madhështore shekspiriane qenë:
Bukuria dhe Faqebardhi…/albanianews/ KultPlus.com