17 Janar, 2019 - 2:41 pm
Kryeministri Edi Rama, i ka kthyer përgjigjën një komentuesit të tij sot në Facebook pasi që ai ka kritikuar ministren e re të arsimit në Shqipëri, Besa Shahinin.
Sipas komentuesit në fjalë ministrja e re e arsimit fillimisht duhet që të mësoj gjuhën shqipe, duke aluduar kështu në mënyrën sesi ajo shprehet.
“Shko e mëso shqipen të flasësh”, ka shkruar komentuesi duke nxitur kështu kryeministrin që të reagoj.
“O zot! 4 fjalë 3 gabime dhe një fjali prej drumepreje, për të përqeshur tingëllimën e të folurës së Kosovës! Po mësohu, mësohu me këtë tingëllimë, ti dhe shumë si puna jote, se do ju duhet të adaptoheni shpejt nën një çati me Kosovën, edhe po nuk deshët ju”, është reagimi i kryeministrit Rama.
Besa Shahini është ministre e re e arsimit në Shqipëri, me vendimin e fundit të Edi Ramës në ndryshimet e fundit në Qeverinë e Shqipërisë.
Besa Shahini është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Deri në verë 2015, ka punuar si analiste me organizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet (ESI). Ajo herë pas herë shkruan për gazetat ditore në Kosovë. Shahini ka master nga Hertie School of Governance në Berlin./ KultPlus.com