11 Shtator, 2017 - 9:12 pm
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas 10 ditësh për ngjarjen e mbulimit të Skënderbeut gjatë faljes së namazit të Bajramit në sheshin kryesor të Tiranës. Rama ka reaguar ashpër por në një mënyrë më fine për t’u shprehur duke thënë se “njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë”
Rama qëndrimin e tij e ka shpalosur nga foltorja e Kuvendit ku ka dhënë “një paralajmërim të fortë, lidhur me atë që e ka quajtur kërcënim i shqipes dhe harmonisë fetare dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve”.
Duke iu referuar ngjarjes së fundit për mbulimin e Skënderbeut në shesh, gjatë festës së Kurban Bajramit, Rama tha se për këtë duhet një analizë e fortë dhe reflektuese.
“Në emër të shumicës qeverisëse ju shpreh sot të gjithëve, opozitës tradicionale apo sezonale, gatishmërinë tonë të ndërmarrim një nismë të përbashkët, tryezë të hapur që duhet të na bashkojnë. Shqipëria e bashkuar me Evropën, apo bashkimi kombëtar i shqiptarëve janë apo nuk janë paketë e bashkëpunimit tonë? Nuk po flas për Shqipëri të madhe por për një popull të vetëm shqiptar, që ka dy shtete, por është ende larg së qeni i lidhur në të drejta dhe detyrime, kompakt në qëllimet e mëdha. Edhe gjuha jonë sot, shqipe, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të arsimit në tranzicion, ca nga çodoria e pjellë prej tranzicionit që na shfaqet në forma shqetësuese marrëzie, si ishte ajo që përfshiu edhe heroin tonë kombëtar Skënderbeun. Njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë. Aq qesharak, ai episod kërkon analizë, reflektim, jo për perden që nuk e mbuloi monumentin, por me çfarë u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar si embrioni i një krimbi kërcënues, për harmoninë fetare dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve”, tha kryeministri shqiptar. / KultPlus.com