5 Gusht, 2019 - 10:00 pm
Në Egjipt, u shfaq ditën e diel, arkivoli i praruar i faraonit Tutankhamun, pas restaurimit për herë të parë që kur u zbulua varri i mbretit, në vitin 1922. Procesi i restaurimit filloi në mesin e muajit korrik, pasi arkivoli me tre nivele u transferua në Muzeun e ri të Madh Egjiptian, në Kajro, nga Lugina e Mbretërve në Luxor.
“Po ju tregojmë një art unik në histori, jo vetëm për Egjiptin, por për mbarë botën”- është shprehur Ministri i Antikiteteve, Khaled el-Enany, në një konferencë shtypi në muzeun e ri, i cili përfaqëson mbikëqyrjen e piramidave të famshme në Giza.
Arkivoli i artë i mbretit, do të shfaqet së bashku me artefakte të tjera të Tutankhamunit, në fund të vitit të ardhshëm, kur megamuzeu i ri i Egjiptit do të hapet për publikun. Restaurimi pritet të zgjasë rreth tetë muaj.
Arkivoli i jashtëm i praruar i drurit është 2.23 metra i gjatë dhe i zbukuruar me një përshkrim të mbretit, që mban simbolet faraonike, sipas ministrisë.
Në shekullin e kaluar, arkivoli “ka pësuar plasaritje në shtresat e suvasë, veçanërisht ato të kapakut dhe bazës”. Arkeologu i njohur britanik Howard Carter, zbuloi varrin e mbretit të dinastisë së 18-të, në Luxor, në vitin 1922.
Njoftimi i të dielës, vjen pas polemikave, kur një artikull 3 000-vjeçar i faraonit Tutankhamun, u shit në Londër, për 6 milion dollarë.
Autoritetet egjiptiane e dënuan aktin, duke i kërkuar agjencisë ndërkombëtare të policisë “Interpol”, të gjurmonte artefaktin që konsideron si pronë që i përket Egjiptit.