20 Maj, 2019 - 5:30 pm
“Unë kam udhëtuar shumë dhe kam parë e përjetuar mjaft, por këtë nuk e kisha pritur! Kosova është befasia më madhe e viteve të fundit”, ka shkruar Marco Wipfli, menaxher dhe pronar i Meersicht Travel & Lifestyle.
Kompania turistike Meersicht ka vendosur të hapë më tej ofertën e vet turistike: Pas zgjerimit të suksesshëm në destinacionin turistik të Shqipërisë, specialisti i Evropës Jugore Marco Wipfli i ka futur rishtas në program edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan abouttravel.ch.
Lidhjet e përditshme ajrore nga Cyrihu në Shkup dhe në Prishtinë si dhe lidhja e re e kompanisë Edelweis nga Cyrihu në Ohër, e kanë nxitur ekspertin e turizmit që t`i vizitojë dy vendet dhe të krijojë programe të ndryshme për turistët zviceranë atje, transmeton albinfo.ch.
Në ofertat e reja hyjnë para së gjithash udhëtimet me makina të marra me qira (Rent a Car) në kombinim me Shqipërinë si dhe vizitat kulturore në qytetet si Shkupi, Ohri dhe Prishtina.
“Unë jam një njohës i turizmit që kam udhëtuar shumë dhe kam parë e përjetuar mjaft, por këtë nuk e kisha pritur! Kosova është befasia më madhe e viteve të fundit”, ka shkruar Marco Wipfli, menaxher dhe pronar i Meersicht Travel & Lifestyle, përcjell albinfo.ch.
“Sikurse ndoshta edhe për shumë zviceranë tjerë edhe për mua destinacioni turistik me emrin Kosova, nuk kishte imazhin më të mirë, dhe pikërisht nga kjo, befasia pozitive në terren ishte edhe më e madhe. Peisazhe fantastike, një infrastrukturë e mirë, ushqim shumë i mirë dhe hotele me cilësi të pabesueshme. Unë jam i ngazëllyer”./albinfo.ch/ KultPlus.com