8 Nëntor, 2018 - 12:30 pm
Ekspozitë, me harta e libra të koleksionistit Jorgo Kolomihalit, të Bibliotekës Genadios ne Athinë dhe koleksioni i Patricia Nooge për Skënderbeun, prezantimi i librit të studiueses greke Makis Paizi Apostolu për Skënderbeun dhe një kumtesë “Skënderbeu dhe Europa” në emër të Muzeut Historik Kombëtar përkujtuan 550 vjetorin e Skënderbeut në Athinë.
Një organizim nën kujdesin e Dr Maria Georgopulos, drejtoreshës së Genadios Library dhe Ambasadores shqiptare në Athinë, Znj Ardiana Hobdari mblodhi njerëz të kulturës për të përkujtuar një prej figurave më të shquara të historisë shqiptare. Dhjetëra vizitorë panë hartat apo librat e koleksionit të Kolomihalit që sillnin një histori tjetër të Skënderbeut. Viti 2018 u shpall nga qeveria shqiptare si “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” duke kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550 vjetorin e vdekjes së tij.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ka lindur më 6 maj 1405 dhe ka mbyllur sytë më 17 janar 1468. Me emrin tij lidhet një epokë e tërë historike për trevat arbnore. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese mesjetare shqiptare që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër vendosjes së sundimit perandorak osman.
Ai realizoi të parin bashkim politik të princërve shqiptarë të kohës në Kuvendin e Lezhës, në fillimi të marsit 1444, i cili u hapi rrugë përpjekjeve për themelimin e një shteti mesjetar shqiptar. Nga vendet europiane Skënderbeu është konsideruar si mbrojtës i krishterimit. Sipas kryeministrit shqiptar një komision i posaçëm do të ngrihet për organizimin dhe promovimin e këtij viti.
Por veç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Më 28 nëntor 2017 përkujtohet 105 vjetori i pavarësisë, datë që përkon edhe me 574 vjetorin e hyrjes së Skënderbeut në Krujë. Tjetër datë e rëndësishme është 10 qershori 2018, 140 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në aktivitetin e organizuar për Skënderbeun në Athinë merrte pjesë dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koci./ KultPlus.com