23 Qershor, 2023 - 10:16 am
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë prezanton ikonën e Shën Nikollës, pjesë e ekspozitës së përkohshme “Piktura bizantine në Shqipëri”. Kjo ikonë ekspozohet për herë të parë për publikun e gjerë.
Origjina e ikonës së Shën Nikollës është nga Kisha e Ristozit, në Mborje, të Korçës. Ikona është pikturuar mbi një panel monolit, të gdhendur në mes në forme govate. Korniza e dalë nga gdhendja është pikturuar në ngjyre të kuqe dhe skarpati me të zezë. Nuk dihet vepër e cilit piktor të kohës është kjo vepër e rrallë.
Shën Nikolla një nga shenjtët me popullorë në Shqipëri nderohet njëlloj nga të dy kishat.
Ai shërbeu si peshkop në Mira, mori pjesë në Këshillin e Parë Ekumenik dhe bëri shumë mrekulli.
Në këtë ikonë që duhet të jetë pikturuar në shek. 14-të, shenjtori paraqitet në pamje frontale deri në mes, i veshur me një fellon të dekoruar me rrathë dhe kryqe dhe një omofor të bardhë mbi supe me kryqe të zinj. Sfondi që mund të ketë qenë argjend ka ngjyrë gri të mbyllur.
Linjat kanë elegancë dhe format evidentohen bukur. Trajtimi është dekorativ dhe pjesët e mishta janë punuar grafikisht me dritë – hije të forta, gati grafike, pa shumë tonalitete. Mbi kafen e errët janë hapur dritat me tone të okrës pa kalime të ndërmjetme tonale. Vizatimi është i thjeshtë dhe linear. / atsh / KultPlus.com