16 Nëntor, 2018 - 8:00 pm
E përditshmja prestigjioze spanjolle “El Pais” i dedikon një artikull bukurive të Shqipërisë ku fton lexuesin që të zbulojë pesë arsye përse duhet të vijë të zbulojë këtë vend të mrekullueshëm.
“Në Ngushticën e Otrantos, aty ku gati prek takën e çizmes së Italisë, ky vend i vogël të mahnit me peizazhet e mrekullueshme dhe kështjellat fantastike”, shkruan “El Pasi”.
Ka qenë vendi më sekret në Europë. Kur komunisti Enver Hoxha erdhi në pushtet në Shqipëri në vitin 1944, askush nuk mund të dilte apo të hynte. Ka qen një regjim brutal, një laborator i stalinizmit. Nuk kishte pronë private, asnjë hapësirë lirie, nuk kishte as buke, as qumësht, por kishte radhë gjigante për t’i marrë ato. Si dhe më shumë se një milion bunkere betoni, në rast se armiku i jashtëm do të sulmonte.
Shqipëria, një kandidat për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, është një vend i vogël, me një sipërfaqe sa ajo e Galicisë (Spanjë) dhe gati tre milionë banorë, një e treta e të cilëve jetojnë në kryeqytet, Tiranë. Pavarësisht territorit të vogël, variacioni i peizazheve është mahnitës, me male në veri, liqene që dalin në vendet fqinje, plazhe që mund të konkurrojnë ato në Greqinë fqinje… Madje edhe “Lonely Planet” e ka përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve kryesore për vitin 2019 për çmimet shumë të ulëta që ka. Më poshtë keni pesë arsyet pse duhet ta vizitoni Shqipërinë.
1- Ndikimi italian
Para Luftës së Dytë Botërore, influenca italiane ishte e jashtëzakonshme. Madje shkrimtari italian, Indro Montanelli botoi udhëtimet e tij në Shqipëri në vitin 1939. Pas aneksimit të Austrisë nga Hitleri, Musolini, që të mos mbetej pas, pushtoi Shqipërinë (1939) dhe e bashkoi atë me Kurorën e Italisë. Kur ra fashizmi dhe erdhi komunizmi, të gjithë flisnin italisht në Shqipëri. Përveç arsyeve historike, ka edhe një shpjegim tjetër më prozaik: gjatë viteve të sundimit të regjimit komunist, e vetmja linjë lidhjeje me jashtë ishte lidhja kalandestine me pjata satelitore… që kapnin valët e televizionit italian.
2 – Tirana në pararojë
Në vitin 1920, Tirana kishte 10 000 banesa, rrugë të pista dhe vetëm një bulevard. Kur erdhën italianët, vendosën ta kthejnë atë në një qytet me të gjitha kushtet. Për këtë Konte Çiano, dhëndri i Musolinit, bëri një përpjekje të veçantë. Ata ngritën ministritë sipas arkitekturës fashiste, hapën bulevarde, rregulluan rrugët. Sot pranë godinave italiane ngrihen kulla prej xhami, qendra tregtare, një xhami qendrore dhe projekte në pararojë siç janë Tetari Kombëtar i ardhshëm, një projekt i një teatri transparent nga “Bjarke Ingels Group” (BIG).
Tirana është porta kryesore hyrëse në vend falë aeroportit Nënë Tereza (që ishte shqiptare). Por janë duke u planifikuar dy aeroporte të reja ndërkombëtare, një në Kukës, në veri, për fluturimet me çmim të ulët dhe një në Vlorë, në jug, për turistët që duan plazhin dhe diellin.
3 – Qyteti i Krujës
Në veri të Tiranës të presin peizazhe me majat e maleve plotë dëborë, shpate për ski dhe pyje të dendura. Si dhe kështjella të ngritura në maja të pamundura, sikur të ishin foletë e shqiponjave. Një nga këto fortesa ruan qytetin e Shkodrës, përballë liqenit me të njëjtin emër që del edhe në Mal të Zi.
Një pamje të ngjashme ofron edhe qyteti i Krujës, që ngrihet në maja të thepisura. Pazari i tij oriental të dërgon në një qytezë që është një simbol i patriotizmit. Nga këtu u drejtua rezistenca kundër Turqve, në shekullin XV, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ai kishte një bashkëpunim të mirë me Alfonson V të Aragonës para se të lidhej me italianët. Madje Vivaldi i ka dedikuar një opera (Scanderbeg). Kështjella, që vazhdon të qëndrojë është kthyer në një muze të historisë, që lartëson figurën e tij.
4- Trashëgimia historiko-kulturore
Rreth gjysmë orë me makinë larg Tiranës, Durrësi qëndron mbi një plazhi gjigant me rërë që mirëpret shumë turistë në verë (dikur ishte destinacioni veror i liderëve komunistë). Aty ndodhen disa rrënoja të amfiteatrove romake apo mure otomane. Por më në jug do të gjeni zonat kryesore arkeologjike, disa prej të cilave cilësohen nga UNESCO si trashëgimi botërore. Në Apoloni, për shembull, mund të gjeni rrënoja greko-romake.
Vlora, rreth 50 km në jug, është një tjetër resort veror. Plazhet e saj, të mbrojtura nga gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit, përfundojnë në me një liqen dhe rrënojat romake të Orikumit.
Në brendësi, Berati, një trashëgimi botërore dhe një destinacion turistik. Qyteti, që ngrihet mbi lumin Osum, ka shtëpi me arkitekturë osmane. Aty ndodhet një qyteze e konservuar shumë mirë, me katër kisha bizantine që mbuluara me afreske dhe muze që kanë objekte të jashtëzakonshme.
5- Llogaraja dhe Gjirokastra
E ashtuquajtura Riviera Shqiptare fillon nga Parku Kombëtar i Llogarasë. Një seri plazhesh dhe gjiresh, shpellash ujore, shkëmbinjsh dhe fshatërash tradicionale. Ka të njëjtën bukuri si fqinji i saj, Greqia dhe ishulli i Korfuzit. Në zbarkimin e tij në 1823 për të luftuar për çlirimin e grekëve (ku edhe vdiq), Lord Bjroni, pasi vizitoi Tepelenën i dedikoi vargje maleve të Shqipërisë. Madje në portretin e tij më të famshëm, ai shfaqet me veshje shqiptare.
Porto Palermo është një prej vendeve që duhen vizituar gjatë pushimeve në këto brigje dhe Saranda, më në jug, është kryeqyteti i tyre. Kjo pjesë pret dy prej zonave arkeologjike më të famshme të vendit, Butrintin, një imitim i Trojës dhe Gjirokastrën, me shtëpitë e saj me arkitekturë osmane që janë ruajtur me shumë kujdes sepse ky ishte qyteti i lindjes i Enver Hoxhës, ndonëse dikush u përpoq të shpërthente shtëpinë e tij. /G.S/ KultPlus.com