31 Gusht, 2023 - 10:05 am
Në orët e para të mbrëmjes së djeshme, Muzeu i Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga flakët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës dhe njësitet e zjarrfikëseve të cilët janë në përpjekje për lokalizimin e zjarrit.
Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës përmes një komunikate me shkrim e ka konfirmuar ngjarjen. Sipas tij njësitet policore janë akoma në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe njësitet e zjarfiksëve.
Elezaj konfirmoi se përveç dëmeve materiale fatmirësisht viktima në njerëz nuk ka.
Në vendin e ngjarjes po ashtu janë parë edhe zyrtarët komunalë në mesin e tyre edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili nuk deshi të prononcohej.
Ndërkaq përmes një reagimi në Facebook zyrtarët për informim pranë komunës së Gjakovës thanë se ajo çka ka ndodhur sonte në objektin e Tabhanes, është një lajm i keq për Gjakovën.”Ndërsa e mira e gjithë kësaj është se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzikës që do të thotë se të gjitha elementet që kanë vlera artistike e historike kanë shpëtuar. Si komunë presim hetimin e policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit, thuhet në reagimin përmes Facebookut të zyrtarëve për informim të Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com