30 Prill, 2019 - 5:09 pm
Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, i ka paraprirë me një fjalim rrëfimit të Vasfije Krasniqit, viktimë e dhunës seksuale në luftë e cila do të dëshmojë sot në kongres për përjetimin e saj të dy dekadave më parë.
Engel ka thënë se është shokuese që askush nuk është dënuar nga ndonjë gjykatë e Serbisë për fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë dhe për dhunimet e mbi 20 mijë grave, njofton Klan Kosova.
“Beogradi është përgjegjës edhe për dhunimin e 20 mijë grave. Raporti i The Human Rights thotë se përdhunimet kanë qenë të pranishme në Kosovë dhe si armë e luftës për spastrim etnik. Përdhunimet nuk kanë qenë individuale por mjete të qëllimshme për të terrorizuar popullatën civile. Dhunimet ishin metodë për t’i përzënë shqiptarët nga Kosova. 20 vjet më pas pak është bërë që të vihet drejtësia. Asgjë nuk është bërë që të sigurohet drejtësi për viktimat”, ka thënë Engel.
“Nuk është arritur më shumë për drejtësi ndaj viktimave që kanë vuajtur nga ushtria e Sllobodan Millosheviqit. Ne mendojmë që aleatët kanë mundur të bëjnë më shumë për të sjellë drejtësi. Nuk është bërë asgjë ndaj serbëve që kanë bërë krime. Le ta kemi të qartë që shumica dërmuese e krimeve të luftës dhe ndaj njerëzimit janë kryer nga forcat e sigurisë së Serbisë dhe Jugosllavisë dhe ky është fakt”.
Engel në Kongresin e SHBA-së, ka folur edhe për Gjykatën Speciale.
“Kosovës iu ka imponuar që ta hetojë vetën e vet dhe kjo është e gabueshme. Ligjin për Dhomën Speciale – kjo gjykatë ndjek vetëm raste shqiptare. Fokusi duhet të jetë aty, nëse kjo gjykatë adreson krimet pa dallim dhe jo vetëm ato të kryera nga shqiptarët. Nëse kështu vazhdohet drejtësia për viktimat në Kosovë kurrë nuk do të arrihet”./klankosova.tv/.