16 Shtator, 2021 - 4:30 pm
Emblema e Kastriotëve, përveç stilit që është i njohur ndër shqiptarët, haset edhe në një stil të dytë, ky shumë pak i njohur.
Kjo emblemë është gjetur në miniaturë me ngjyra në një libër uratash, i cili u punua për t’iu dhuruar Skënderbeut nga ana e Alfonsit V të Aragonës dhe të Napolit.
Koha e punimit dhe i dhurimit të këtij libri lidhet me vitin 1451, kur në Gaeta (Mbretëria e Napolit), u nënshkrua një traktat aleance midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit. Fusha e stemës është e ndarë në ngjyrë të artë dhe të kaltër. Mbi pjesën që eshtë me ngjyrë të artë është e vendosur një shqiponjë e zezë, dykrerëshe e kurorëzuar dhe krahëhapur.
Lart është vendosur një trekëndësh i kaltër me yll të artë, me tetë cepa. Mbi pjesën e kaltër është luani i artë i ngritur në dy këmbët e pasme, që mban lart një shpatë po të artë. Në këndin e djathtë -lartë, është një zambak i argjendtë. Ky kombinim simbolesh me siguri është lidhur edhe me Topiajt, si principatë më e hershme se ajo e Kastriotëve.
Këtë lloj steme të Kastriotit, ku shqiponja është bashkë me luanin e Topiajve e hasim edhe mbi varrin e Konstantin Kastriotit, nipit të Skënderbeut, në varrezat e kishës Santa Maria La Nova në Napoli, të skalitur në vitin 1500, nën kujdesin e gruas së Skënderbeut, Donika Kastrioti.
Emblemën e gdhendur në dy anët e monumentit mortor e ka analizuar dhe botuar studiuesi italian, Padilione, në vitin 1870 dhe më vonë, arbëreshi Zef Skiroi në Palermo, në vitin 1904.
Për këtë stemë e kishte fjalën edhe profesori i nderuar Pëllumb Xhufi, për historianët shqiptarë në Maqedoni.
Varianti i dytë dhe i tretë, janë realizime të së njëjtës përfaqësi. Stema heraldike e familjes Kastrioti, nga viti 1568, siç e cilëson edhe historiani Jahja Drançolli, që është përdorur në dukatin Nocera të shtetit të Napolit..!
Ky variant gjendet edhe në Bibliotekën digjitale – qendra e digjitalizimit në Mynih, nën titullin: 1550-1555 Chastrioto (Gjergj Kastrioti Skënderbeu) Insignia Venetorum nobilium II (A -IP) – BOD Cod.icon. 272, [Sl] Itali, 1550-1555 [BSB-Hss Cod.icon. 272]. / KultPlus.com