18 Janar, 2018 - 8:58 pm
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka hapur derën komunitetit arbëresh duke e ndarë sot ‘Çelësin e Qytetit’ për këtë komunitet.
Arbëreshët, komunitet që për vite e ka mbajtur gjallë traditën shqiptare në Itali, një pjesë e tyre kanë vizituar sot Veliajn në zyrën e tij.
“Tirana është gjithmonë derë e hapur për vëllezërit tanë arbëreshë. I dhamë komunitetit arbëresh çelësin e shtëpisë, për t’ju kujtuar që të gjithë duhet të ecim në gjurmët e të parëve tanë e të ruajmë lidhjet me vendin mëmë” ka shkruar Veliaj në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.
Delegacioni arbëresh ka ardhur në Shqipëri me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
“Shpresoj që ky mot i madh të jetë një simbolikë e fortë për të na kujtuar që kemi humbur shumë kohë të ndarë, por asnjëherë nuk është vonë për ta rikuperuar atë kohë” ka thënë mes tjerash Veliaj. / KultPlus.com