27 Qershor, 2018 - 2:30 pm
Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shën Venerandës, në Pllanë Lezhë.
Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve konsiston në kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në pikturën murale të kishës.
Kisha e Shën Venerandës ndodhet në lindje të fshatit Pllanë (Lezhë), dhe ngrihet në lartësinë e kodrës mes një gjelbërimi. Ajo është një kishë e madhe dhe përbëhet prej naosit dhe narteksit.
Monumenti është një ndërtim i shek XIV-të i stilit Benediktin dhe falë marrëdhënieve të pallatit të Romës me Monolin si perandor i Kostandinopojës, vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe.
Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit.
Kisha përmendet në dokumente historike të shek të XVII-të, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit, shkruan ATSH./ KultPlus.com