5 Gusht, 2018 - 2:00 pm
Shkruan Mal Berisha.
ETNO – FESTI, një manifestim i jashtëzakonshëm kulturor, mbrëmë ekspozoi edicionin e tij të 8 – të.
Në një mjedis krejtësisht rural, midis bjeshkëve rreth 1000 m lartësi, në një gjelbërim fantastik, performuan artistë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria si dhe arbëreshë të Kalabrisë – Itali. Artisti i njohur Fadil Hysa dhe bashkëpunëtorët e tij, familjarët dhe miqtë ishin kujdesur për një regji të menduar deri në detaje.
Nata e Parë ishte NATA E GJERGJIT
• Pak histori: Në vitin 1978, Ansamabli i njohur Kosovar “Kastriotët” e Ferizajve të ftuar nga Shtëpia e Kulturës në Krujë bënë një turne jashtëzakonisht të suksesshëm në Shqipëri. Ata shfaqën në amfiteatrin veror të Krujës dhe në sallat e Pallateve të Kulturës në Borizanë e Laç, disa nga shfaqjet me emocionale të jetës së tyre artistike. Mikpritës ishin veç tjerësh edhe artisti i ri i athershëm krutanë, Mehmet Llubani. Mbrëmë, z Llubani, tani një etnograf, kompozitor, studjues i kulturës popullore, veçanërisht asaj krutane, në krye të “Grupit të Pleqve të Krujës” themeluar nga krutani tjetër Fadil Taga, në vitin 1957 interpretoi për spektatorët e shumtë të Etno – Festit, në Kosovë ku kishte edhe drejtues të “Kastriotëve” të Ferizajt të asaj kohe. Shfaqja dhe pritja që iu bë atyre ishte mbresëlënëse.
• Emocionet e pjesmarrësve i shtuan Grupi arbëresh i Kalabrisë, “Kreshnikët e Lirisë”, të cilët sollën nostalgjinë e kohës së Skënderbeut të cilën vetëm ata dinë ta sjellin. Vallet e bukura, këngët e ëmbla dhe malli për atdheun mbushën minutat plot emocion që të pranishmit përjetuan.
• Ekspozitat në të gjitha mjediset e festivalit nuk lenin asnjë çast të “lire”. Ekspozita e gazetarit dhe fotografit Rexhep Rifati me shtatoret e Skënderbeut, Odat e Vjetra Shqiptare me peshë historike, ekspozitë e kombinuar me temë Skënderbeun nga shumë autorë tjerë ndër ta edhe heroi i luftës Agim Ramadani, ekspozita në filigramë e anglezes Elizabeth Gowing dhe më pas instlacionet figurative të artistit Agron Blakçori, krijuan një mjedis në të cilin pjesmarrësit jetuan më shumë në historinë e kombit tonë sesa në të tashmën dixhitale. Nga do të hidhje sytë gjëndeshe në mes të kostumeve të bukura, veglave të punës, kulturës materiale tradicionale shqiptare… Të jetoje ato çaste nën hijën e pemëve, molla dhe dardha që po shqyeheshin nga frutat, pranë vegjeve që prodhojnë zhgunin dhe pëlhurën e veshjeve tona popullore, ishte një kënaqësi që rrallë e gjen në ditët tona.
• E tërë kjo u shoqërua nga prezantimi – “Skënderbeu dhe Ne” të studjuesit, historianit dhe shkrimtarit të njohur Jusuf Buxhovi si dhe nga Dr. Kushtrim Jakupi, dhe loja në piano e Rahmi Ymerit.
• Flija dhe gjellët tradicionale kosovare ishin pjesë e etnosit të Etno – Festës.
• Etno – Fest përbën një veprimtari jashtë mase të rëndësishme për ruajtjen e vlerave tona tradicionale kombëtare, të cilat epoka e re e modernizimit po i bjerr gjithnjë e më shumë. Popuj që janë në pararojën e progresit nuk e harrojnë traditën e tyre. Le të mendojmë për një çast Zvicrën dhe njerëzit e saj. Në aeroportet e atij vendi dhe kudo tjetër ndesh jetën tradicionale, baritore, prej nga ata nuk shkëputen as sot.
• Dhe krejt në fund, takova edhe Adashin tim, bukuroshin Mal Ahmetaj, nipi i shkrimtarit të madh Jusuf Buxhovi, me të cilin bëmë një foto që do të na e kujtojë këtë mbrëmje për shumë kohë.
Falemnderit Familja Hysa dhe tërë bashkëpunëtorët për mundësinë që na dhatë të përjetojmë çaste kaq të këndshme!