2 Shtator, 2017 - 11:25 am
Vendi nikoqir i festivalit Etnofest, fshati Kukaj ka qenë i rrethuar për disa javë rresht me aktivitete nga më të ndryshmet kulturore e artistike, shkruan KultPlus.
Vepra arti, valle tradicionale, këngë folklorike e gjithçka tjetër ka mirëpritur adhuruesit e këtij festivali në secilin vikend.
Ky edicion i shtatë i Etnofest, mblodhi një numër të madh të njerëzve në ambientin ku përherë merr frymë ky festival kulturor, duke shpalosur kështu para tyre gjërat më të bukura që ishin përgatitur për ta.
Por, Etnofest këtë javë po përmbyllet duke sjellë vikendin e katërt dhe të fundit për këtë edicion.
Sonte dhe nesër ju do të mund të shijoni gjëra tradicionale në natyrën e bukur të fshatit Kukaj.
Zona e debatit më temë: “Kaosi urban dhe mungesa e arkitekturës autoktone” do të filloj mbrëmjen sonte nga ora 17:00 – 18:00, për t’i lënë tutje vend debatit etnologjik më temë: “Vallet përfaqësuese të Kosovës si trashëgimi kulturore shpirtërore”, nga ora 18:00 – 19:00.
Tutje programi vazhdon me “Melodi ilire”, koncert në piano nga Dita Hysaj, e për t’i lënë vend më vonë Grupit të frymoreve nga Filharmonia e Kosovës – “Prishtina Brass”, koncert ky me motive muzikore tradicionale.
Krejt për fund, për të përmbyllur këtë mbrëmje do të jetë edhe Etno Neja që fillon nga ora 21:00 me Jehona Lumin.
Ndërsa nata përmbyllëse e këtij festivali kulturore, ju mirëpret më datë 3 shtator, ku përveç aktiviteteve të shumta do të bëhet edhe shpallja e fituesve të festivalit. / KultPlus.com