6 Qershor, 2018 - 4:30 pm
Dje në zyrat e Komisionit Evropian, Ministri Kujtim Gashi, ka takuar Komisionerin Evropian, Tibor Navracsis, me ç’rast kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative për mbështetjen e sektorëve të kulturës dhe atë kreativ.
Ndërsa sot pikërisht kjo platformë ka ndarë kohën për të uruar Kosovën për këtë bashkëpunim së bashku me Bashkimin Evopian.
“Urime Kosovën – Mirë se erdhët në familjen e Evropës Kreative. Jemi shumë të lumtur që Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për t’u bashkuar me programin e Kulturës të Evropës Krijuese, duke mundësuar forcimin e bashkëpunimit kulturor”, gjersa kanë bërë të ditur se asambleja kosovare duhet të ratifikojë marrëveshjen para se aplikantët nga Kosova të mund të aplikojnë për thirrjet e Evropës Krijuese.
Pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.
Duke u mbështetur në faktin se programi i Evropës Krijuese kontribuon, ndër të tjera, për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, ndaj synimeve evropiane për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe ndihmon sektorët kulturorë dhe krijues të përshtaten me epokën digjitale dhe globalizimin, krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës – MKRS konsideron se pjesëmarrja në këtë program është shumë e rëndësishme, shtoi ministri Gashi./KultPlus.com