Trashëgimia botërore antike e Shqipërisë

16 Shtator, 2018 - 11:00 am

Rreth 2 000 vite më parë Shqipëria ishte një pjesë e rëndësishme e Perandorisë Romake dhe aty ka kudo rrënoja antike.

Më i famshmi është Butrinti, në jug të Sarandës, por më e bukura është Apollonia, në jug të Durrësit, shkruan gazeta suedeze “Expressen.se” në një reportazh që ia dedikon Shqipërisë.

Këtu, në një kodër që rrihet nga dielli dhe të mbushur me pemë ulliri dhe një pamje shumë të bukur nga deti, rrënojat antike ndodhen në rrugën romake që lidhte Dyrrahun antik (Durrësi) me Butrintin, por këto rrugë shkonin gjithashtu edhe në Romë dhe Konstandinopojë.

Në Apolloni, perandori romak, Augusti, bëri shkollën dhe sot mund të lëvizni nëpër këto rrënoja, që kanë shpjegime në disa gjuhë, si dhe ku mund të shihni se si dukeshin shtëpitë në atë periudhë. Edhe Butrinti edhe Apollonia janë zona që cilësohen trashëgimi botërore nga UNESCO.

Kruja, qyteti që ndodhet në mes të maleve

Nëse fluturon për në Tiranë mund të vëreni një qytet të vogël që ngjitet në një mal të lartë dhe të thepisur që ndodhet në anë të një lugine. Ky qytet është Kruja, qyteti që ngroh zemrat e gjithë shqiptarëve nga ku heroi kombëtar Skënderbej udhëhoqi përpjekjet për pavarësi kundër turqve në vitet 1400.

Kruja mund të vizitohet lehtësisht duke u nisur nga Tirana, por do të ishte mirë që të qëndroni një natë, sepse mund të shijoni një pamje të këndëshme të pazarit të restauruar, të kullës së rojes të kështjellës mesjetare dhe të kështjellës muze që i dedikohet Skënderbeut, nga ku do të keni një pamje fantastike të maleve, pllajës dhe detit. Kruja është si Durrësi, një vend ku mund të blini argjendari fine.

Gjirokastra dhe Berati, bukuroshet osmane

Me shumë mundësi, Gjirokastra është vendi larg brigjeve që turistët vizitojnë më shumë. Një amfiteatër me shtëpi të bukura osmane që ndodhen në pjesën e malit dhe qytetin modern poshtë.

Kjo pamje është e bukur, por Gjirokastrën e shijon kur shëtit nëpër rrugicat e ngushta dhe tatëpjetat e rrëshqitshme. Pazaret e bukura janë mbushur me dyqane për turistët dhe restorante, që janë veçanërish shumë komod në mbrëmje.

Ajo që shumë pak turistë dinë është që edhe qyteti i Beratit ofron një sharm osman, ku shtëpitë e vjetra ngjitet sipër njëra tjetrës në mal, ku sipër ndodhet një kështjellë e madhe.

Ky është një vend ku mund të hash, të pish një birrë apo një kafe me çmim shumë të lirë në çdo cep në anë të lumit, me një pamje të bukur në të gjitha anët./ KultPlus.com

Të ngjajshme