10 Mars, 2024 - 10:30 am
Kalaja e Libohovës ngrihet mbi një plan shkëmbor nëlindje të qytetit të Libohovë me një planimetri thuajse katërkëndëshe 70 x 80 m.
Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Gjirokastër solli të dhëna për këtë vendndodhje e cila ka marrë vëmendjen e historianëve dhe studiuesve dhe tashmë mund të vizitohet edhe nga publiku.
Kalaja e Libohovës përforcohet nga katër kulla poligonale në qoshet dhe me nje bastion në formë të rregullt gjeometrik ngjitur me njerën prej kullave në njërën nga qoshet. Fortifikimi është e pajisur me tre hyrje. Ajo ruan në të gjitha karakteristikat e ndërtimeve tipike të Ali Pashës.
Kalaja ka pasur rolin e një pallati të mbrojtur, e ndërtuar për motrën e Ali Pashes, Shanishanë. Brenda kalasë identifikohen ende rrënojat e sarajeve të motrës së Ali Pashës.
Sipas prof.Karaiskaj, saraji dhe kalaja janë të së njëjtës kohë, dhe në fakt nga Pouqueville ajo përmendet vetëm si saraj e jo si kala ,duke mbartur kështu karakteristika të një saraji të dikujt të rëndësishëm siç ishte familja e Bejlerëve të Libohovës, pjesë e së cilës ishte dhe motra e Ali Pashës, Shanishaja.
Nga libri “Tepedelenli Ali Paşa 1744-1822“ me autor stërnipin e Shanishasë, Ahmed Müfid Bej Libohovën, ai e quan sarajin, sarajet e Bejlerëve dhe përmend faktin që në të ka kaluar natën vetë Aliu si i ftuar te Bejlerët e Libohovës apo vetë Bajroni në udhëtimin e tij drejt Tepelenës (kujtojmë që në këtë kohë Gjirokastra nuk kishte rënë akoma).
E sigurtë është, sipas specialistëve, që ky ndërtim i përket fundit të shek.18 ose fillimit të 19 dhe është para marjes së Gjirokastrës nga Aliu (1808) apo dhe para ndërtimit te kalasë së “Shën Triadhës” përballë me Gjirokastrën.
Sarajet
Nga sarajet madhështore kanë ngelur gjurmët e themeleve dhe disa galeri në pjesën perëndimore, dikur pjesë e sarajeve. Gjatë rilevimit u evidentua një element dekorativ pjesë e muraturës së një këmbe qemeri brenda në kullën Nr.3 e cila duket që është rindërtuar. Sarajet kanë qenë me 3 – 4 kate dhe zhvilloheshin në gjithë gjeresinë lindje-perëndim të kalasë.
Struktura murale e kalasë përbehet nga dy parete prej guri gëlqeror midis të cilave është hedhur mbushje me gurë e llaç.
Faqja e brendshme e muraturës është ndërtuar në një menyrë të çrregullt, në këtë anë mund të dallohen edhe sot fare qartë gjurmët e brezit të trarëve prej druri që përbehen prej trarësh transversal me seksion 8cm dhe dërrasas horizontale me dimension 4×10 cm të vendosur pothuajse në buzën e jashtme dhe mbulohen me një rrip të ngushtë horizontal prej gurësh. / KultPlus.com