10 Nëntor, 2021 - 10:00 am
Nga: Dashnor Kaloçi
Në fillim të vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike dhe i kishte rikthyer asaj pothuajse të gjitha viset shqiptare që Kongresi i Berlinit në vitin 1878 – si dhe Konferenca e Londrës më 1913 – ia kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës.
Hamit Kokalari lindi në vitin 1913 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Ishte pinjoll i një prej familjeve nacionaliste më të njohura të jugut të Shqipërisë, ku të parët e saj ishin shkolluar në universitete të ndryshme të botës. Babai i Hamitit, Reshat Kokalari, ishte një intelektual tepër i njohur, sidomos për përhapjen e arsimit shqip në zonën e Gjirokastrës. Hamiti kishte edhe dy vëllezër të tjerë, Muntazin e Vesimin, si dhe një motër – Musinenë. Ashtu si shumë pinjollë të tjerë të trungut të Kokalarëve, që kishin studiuar dhe ishin diplomuar në universitete të ndryshme të botës, edhe Hamiti në vitet tridhjetë u diplomua në një prej fakulteteve të Francës në Jurisprudencë. Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1942-1943 shërbeu për pak kohë në administratën e lartë vendore të Kosovës dhe pranë ambasadës shqiptare në Shkup të Maqedonisë. Gjatë asaj periudhe, Hamiti u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me mjaft politikanë e intelektualë të njohur me bindje nacionaliste të atyre trevave shqiptare, të cilët e ndihmuan atë në punën hulumtuese, studiuese dhe shkencore për veprën e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, të cilën ai e botoi në Tiranë në vitin 1943.
Përveç një pune tepër të madhe studimore e shkencore, ku autorit iu desh të shfletonte edhe arkivat sllave, ajo që vlen për t‘u theksuar në botimin e atij libri ishte edhe kurajoja e guximi i autorit, i cili e botoi atë pikërisht në periudhën kur Partia Komuniste e Shqipërisë ishte e lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Jugosllave dhe emisarët serbo-malazezë që drejtonin e udhëhiqnin realisht lëvizjen komuniste në vendin tonë, kishin filluar një valë terrori kundra nacionalistëve shqiptarë.
Menjëherë pas mbarimit të luftës, në dhjetorin e vitit 1944, dy vëllezërit e Hamitit, intelektualët e njohur me bindje nacionaliste, u pushkatuan pa gjyq në një nga bodrumet e hotelit “Bristol” në qendër të Tiranës, ku ata mbaheshin të lidhur që prej disa kohësh. Sipas mjaft dëshmive të dhëna pas viteve 1990, ekzekutimi i tyre është bërë me urdhër direkt të Enver Hoxhës, për motive personale të veta. Sipas dëshmive të intelektualit, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur, Mexhit Kokalari, pak ditë pas ekzekutimit të tyre, kur Fejzie Kokalari shkoi të ankohej tek Enver Hoxha për gjëmën që u kishte ndodhur, Enveri i tha asaj: “Muntazin dhe Vesimin bëmë mirë që i pushkatuam, ndërsa Hamiti duhet të na falënderojë që e lamë gjallë për mëshirë, se ishte i sëmurë nga tifua. Hamiti ka hedhur shumë gurë kundër Jugosllavisë motër. Të rrinë urtë bashkë me Musininë se po e lëvizën bishtin do t‘i dërgojmë te dy vëllezërit” (Enveri e mbajti deri diku fjalën e tij: intelektualja e famshme Musine Kokalari, e cila ishte laureuar për Letërsi në një nga universitetet e Italisë, u burgos dhe u internua për vite me radhë, deri sa mbylli sytë e vetme në një kthinë të errët të qytetit të Rrëshenit në vitet 1980).
Edhe pse kishte marrë kërcënimin direkt nga Enver Hoxha, Hamiti vazhdoi të merrej me çështjen e Kosovës, me qëllim që ta zgjeronte, kompletonte dhe ta ribotonte përsëri studimin e tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Kështu, dy tre vjet pas botimit të librit, Hamit Kokalari i dërgoi një letër Nexhmije Hoxhës, ku i kërkonte ribotimin e librit, por përgjigja që erdhi prej saj ishte negative. Që nga ajo kohë dhe në vitet që pasuan, me qëllim për të siguruar jetesën, Hamiti u mor me përkthime të ndryshme, pasi ai zotëronte shkëlqyer pesë-gjashtë gjuhë të huaja. Pas një sëmundjeje të gjatë, Hamit Kokalari u nda nga jeta në vitin 1989. Libri i tij “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, u ribotua në Itali në vitin 1962 nga një grup intelektualësh të njohur nacionalistë shqiptarë dhe parathënia e tij u shkrua nga Abaz Ermenji.
Libri në fjalë kishte vetëm 125 faqe dhe përbëhej nga rreth 27 kapituj ku autori ka përdorur shumë referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu etj., e po ashtu edhe të huaj, si: Antonio Baldacci, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga akademi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd.
Nga libri i Kokalarit, “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.
“Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund të thuhet se historija e Kosovës dhe çështjeve etnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë sasin e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundshëm, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përherëshme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e mbyllur në kufijt e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorzojë.
… Ky studim ka për qëllim të kapë, me anën e një përshkrimi historik dhe etnografik të shkurtër, një ide të përgjithshme mbi ato krahina thjesht shqiptare të veriut dhe të veri lindjes që ishin anësuar prej Serbisë dhe Malit të Zi pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877 e pas luftës ballkanike dhe që në kohën e sundimit otoman bënin pjesë të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit. Në lëmën historike propaganda serbe ka arritur mjerisht të bëjë çudira, sepse ka mundur ta paraqesë Kosovën përpara opinionit të përbotshëm sikur të ishte një vend serb. Në këtë puna vepra e propagandistëve sllavë ishte e përkrahur edhe prej ndihmës e bashkëpunimit të plotë të shtypit dhe të literaturës së fuqive të mëdha mbrojtëse të Serbisë. Propaganda shqiptare, me mjetet e saj tepër modeste, nuk ka pasur efektet e dëshirueshme sa që të dispononte argumenta më të forta dhe sa do që vetë realiteti fliste në favor të tezës shqiptare. Një nga mjetet e propagandës serbe ka qenë folklora. Serbët kanë ekzaltuar në këngët e tyre popullore luftrat e tyre në Kosovë, por shqiptarët kanë më shumë arsye se ata që të jenë kryelartë për luftrat që kanë bërë kundra Turqëvet dhe kundër Serbëve po në Kosovë, dhe këto vepra të lavdishme përmenden në këngët tona popullore, të cilat vetë Serbët i kanë mbledhur dhe botuar në Beligrad, në rivistën ‘Prilozi Proncevanje norodne poezie’ …
Propaganda serbe ka përdorur sidomos betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar jugosllav dhe si argument për të provuar rivendikimet serbe në Kosovë. Në fakt, beteja e Kosovës të cilën serbët e kanë permëndur së tepërmi duke i bërë të vetat të gjitha theorirat, ndodhi midis turqëvet dhe një koalicioni të krishterë nën komandën e për të mbretit sërb Lazar, i cili ra i vdekur në luftë e sipër. Duhet pra të sqarohet mirë se beteja e Kosovës nuk ka qenë vepër e Serbëve vetëm, por e një koalicioni të krishterë, të përbërë prej: Serbë, Shqiptarë, Bullgarë, Boshnjakë, Dalmatë, Ungarezë. Shqiptarët ishin të komanduar nga Princi Gjergj Kastrioti, gjyshi i heroit t‘onë kombëtar, Skënderbej, por komanda e përgjithëshme iu besua mbretit serb Lazar, dhe kjo u bë për shkak se asnjë nga ushtritë e tjera aleate nuk ishin të komanduara nga një mbret dhe sepse ushtrija serbe ishte më e madhe në numër. Fuqitë serbe dhe ushtritë aleate që luftuan në fushën e Kosovës u-përpoqën ta ndalojnë invazionin turk me një ekspeditë e cila kishte më shumë karakterin e një kryqëzate për t‘i prerë hovin rrezikut mysliman, se sa të një lufte me karakter kombëtar. Historianët e njohin këtë betejë si një kryqëzatë të re kundra fuqisë otomane që shtohesh dhe kërcënonte botën e krishterë të aksidentit. Sidoqoftë fuqitë shqiptare në këtë betejë sollën një kontribut të dorës së parë: “Më 1389 Gjergji i II Balsha, Theodor II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjysh i Skënderbeut, dhe disa princër shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Lazër të Serbisë, i cili organizoi një kryqëzatë kundër Sulltanit Muradit I. Ushtria kryqëzore, e përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Boshnjakësh, Shqiptarësh, Vllehësh, Pollakësh, dhe Hungrezësh u përpoq me ushtritë turke në fushën e Kosovës. Në këshillën e luftës që u mbajt nën kryesinë e Kralit Lazar, Gjergj Kastrioti kishte propozuar që t‘i bijen Turqëve natën, por ky proponim nuk u pëlqye nga shkaku se armiqtë mund të shpëtonin nga një disfatë e plotë dhe të iknin më t‘ë errët. I ranë pra ditën dhe u dërmuan plotësisht prej Turqëvet. Midis të vrarëve ishin Sulltan Muradi I vetë dhe Teodor II Muzaka. (Historija e Skënderbeut, prej Fan S. Nolit, Boston 1921, faqe 37) …”