26 Shtator, 2024 - 8:30 pm
Në Javën Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, DRTK Shkodër zhvilloi një aktivitet së bashku me fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, Kukës. Fëmijët patën një përvojë të mrekullueshme duke eksperimentuar me motive të qilimave tradicionalë në sixhade dhe tezgjah.
Atelieja “Ora”, në Kukës mikpriti grupin e fëmijëve të cilët i inkurajoi për zhvillimin e aftësive të tyre kreative. Duke parë disa modele të sixhadeve shumëngjyrëshe si frymëzim, fëmijët i rikrijuan ato duke qenë të lirë me imagjinatën e tyre, ndërsa i vizatonin në letër.
Duke u udhëqur nga profesionistë të artitizanatit, fëmijët patën mundësi të praktikojnë teknika të punimeve të tyre nga letra në tezgjah.
Ky aktivitet thekson rëndësinë e ruajtjes së artizanatit dhe zhvillimin e Trashëgimisë Kulturore. Gjithashtu ndihmon në kuptimin e lidhjeve historike dhe rrugën që artizanët kanë ndjekur për të mbajtur gjallë traditat dhe teknikat e pasura të krijimit duke i pasqyruar ato në kontekstin e Trashëgimisë Kulturore./ KultPlus.com