5 Korrik, 2022 - 11:25 am
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër e konsideroi të suksesshme thirrjen që bëri për pjesëmarrje në festën e Thethit. Atmosfera që u krijua në fundjavë në Theth ishte nga më të bukurat.
Një fundjavë plot hijeshi, histori njerëzore e gjurmë trashëgimie, shije muzikore dhe kulinare në pikëtakimin e më të mirave të natyrës e me vlerat kulturore të Thethit.
Festa e konceptuar si një takim brezash, mblodhi bashkë vajzat duararta, të veshura me kostumet tradicionale të zonës, djem e burra që luajtën mrekullisht në lahutë e çifteli, si dhe vizitorët që kanë mundur të shijojnë gjallërinë e krijuar bjeshkëve.
Me ftesën për t’iu bashkuar festës së Thethit në një udhëtim plot ngjyra, DRTK Shkodër promovoi trashëgiminë e zonës, ku përmes guidave historike të udhëhequra nga specialisti i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, pjesëmarrësit në festë, u ndalën në dy pikëtakime: “Kullën e Ngujimit”, një guidë përshtatur për fëmijë dhe Muzeun Etnografik të Dukagjinit, të dyja monumente kulture të kategorisë së parë.
Kjo festë ishte një formë për t’u njohur me trashëgiminë kulturore përmes monumenteve të kulturës dhe bukurisë që të ofrojnë Alpet shqiptare. / atsh / KultPlus.com