27 Prill, 2019 - 7:56 pm
Në 45 vite martesë Rolanda dhe Pandeli Suli nga Elbasani, kanë festuar pashkë, Krishtlindje, Bajram e Nevruz. Ajo u rrit në një familje me tradita myslimane ndërsa sot, jo vetëm bën vezët e kuqe, por shkon rregullisht në kishë.
Ndërsa Pandeliu feston Bajramin tashmë prej 45 vitesh.
“E festonim dhe e festojmë, e padiskutueshme dhe unë e uroj për bajramin e madh dhe bajramin e vogël, ajo merr masa për përgatitjen e bajramit. E festoj për respekt të bashkëshortes”, thotë Pandeliu.
Por si e pritën familjet bashkimin e dy të rinjve në atë kohë?
“Pse e fejove vajzën tek kaurrët, u mbaruan djemtë tonë qe e dhe tek kaurrët? E shikonin Pandin me një sy tjetër”, thotë ajo.
“Nuk gjete një nuse nga krahu jonë??? Me thënë të drejtën jo se u revoltuan, për të qenë i sinqertë, por patën një farë pakënaqësie në vetvete”, tha Pandeliu.
Në familjen Suli gjen Bibël e Kuran ndërsa të dyja kulturat fetare ngjizen edhe tek fëmijët.
Në familjen Suli festat fetare nuk u ndalën asnjëherë, madje as në kohën e diktaturës. Për 45 vite në këtë shtëpi, nusja myslimane ngjyroste aq bukur vezët e kuqe të pashkës.
“Pavarësisht se nuk lejohej unë këtu gjeta një ambient që bëheshin festat, pa zhurmë, edhe unë isha në punë dhe mundoheshim kur ishin vezët. Nane më janë bërë duart e kuqe, si do vete? Mundoheshim t’i lanim me uthull e limontos të hiqej ngjyra e kuqe se stë besonte njeri pastaj”, thotë ajo.
“Me ligj ishte hequr feja, por nuk mund të çrrënjosësh një bindje shekullore, mijëvjeçare, me 30 apo 40 vjet. megjithëse u hoq me shkresë, në shpirt nuk u hoq asnjëherë”, thotë Pandeliu.
Djali i çiftit mban emrin e gjyshit të tij, mbesa mban emrin e Rolandës, duket se traditat ortodokse kanë fituar disi terren në familjen Suli, ndërsa respekti dhe vlerat kanë mbetur të njëjta për të dyja fetë.