18 Gusht, 2023 - 11:04 am
Festivali për Art dhe Trashëgimi, EtnoFest, po e vazhdon rrugëtimin e tij duke bërë bashkë dashamirës të traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Edicioni i 13-të i Festivalit EtnoFest, i cili ka filluar më datën 13 gusht dhe do të vazhdojë deri më 20 gusht, ka përgatitur për publikun ekspozita të shumta, performaca muzikore, shfaqje teatrale, punëtori e debate.
Në natën e katërt të këtij festivali, u prezantuan ritet e veshjeve tradicionale, me theks të veçantë Xhubleta dhe Veshja e Hasit.
Xhubletën në Etno Fest, natën e mbrëmshme e prezantoi Rita Kalaj nga Shkodra. Xhubleta është veshje tipike e grave në Shqipërinë veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqipëtare në Malin e Zi. Xhubleta në shekullin e XVIII, bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat.
Që prej vitit 2022 xhubleta është pjesë e listes së trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO në nevojë urgjente për mbrojtje.
Ndërsa në këtë mbrëmje, përgaditjen për veshjen e Hasit në Etno Fest e solli Arbnora Kolxheraj. Veshja e Hasit është identitet i yni. Kolxheraj tregoi për ndërrimin e veshjes nga vajzë e re, në vajzë e fejuar, e martuar e deri tek pleqëria e veshja e gjyshes. Veshjet e Hasit gjithashtu dallojnë edhe në raste të ndryshme si: në raste festive e mortore. Përmes veshjes dallohet edhe statusi social se a është grua e ve ose a e ka burrin në mërgim etj. Veshja e Hasit përbëhet kryesisht nga gjashtëmbëdhjetë deri në njëzet pjesë. Përmes përformancës së shkurtër, gratë prezente treguan edhe statusin social. Veshja e Hasit qëndron akoma prezente tek gratë e Hasit, si në qytete edhe në fshatra, mirëpo veshja ndër vite ka pësuar ndryshime si në përmasa edhe në disa pjesë të veshjes të cilat nuk përdoren më: si kanaci e xhamadani.
Pas riteve të veshjeve tradicionale, festivali vëmendjen e kaloi te shfaqja.
Monodrama “Adrien” e autorit Albin Kushnini nën regjinë e regjisorit Skender Podvorica u shfaq para një publiku të gjerë. Anipse e punuar në stilin e ‘Teatrit të dhomës’, hapsira u mbush me publikë të interesuar për shfaqje. Me temën kryesore që trajton shfaqja – vrasjen e grave – aktorja Donikë Zeqiri në rolin e Gjaninës, përcolli emocionin dhe mesazhin tek audienca.
Gjaninë është një grua që jeta e përplasi me dhimbjet, një grua që u rrit në një sistem patriarkal dhe që ra pre e këtij sistemi. E lumtur në fillim, jeta e saj papritmas mer kahje tjetër duke e privuar atë nga liria, dashuria, lumturia e madje edhe amësia.
E motivuar nga poezia, me të njejtin titull, nga autori Jacques Prevert, “Adrien” erdhi si zë, dhimbje, thirrje dhe revoltë për të parandaluar vrasjet e grave.
Monodrama në zhanrin tragjedi, mbushi në lotë sytë e publikut, të cilët bashkëndjenë me aktorën, e cila shumë besueshëm e përcolli fabulën dhe mesazhin në skenë. Energjia e pashterrur e Donikës nuk lejoi që asnjëherë të humbas vëmendja e audiencës, por të thellohet shumë e mëshumë në fabulën e veprës.
Pas shfaqjes, Etno Fest vazhdoi me Etno nejën ku të ftuar për argëtimin e të pranishmëve ishin Nezafete Shala me grupin Melodia e vjetër, me muzikë të vjetër qytetare. Ky grup rezident për cdo vit mbledhë një audiencë mjaftë të madhe dhe shumë përsona shprehin interesim për ta ndjekur këtë melodi. Muzika e vjetër qytetare e argëtoi çdo të pranishëm që e shijuan mjaft shumë, dhe që vazhdoi deri në orët e vona pas mesnate.
Etno Fest vazhdon programin edhe për disa ditë të tjera, duke ngritur tema që synojnë lirinë e lavdishme./KultPlus.com