11 Qershor, 2018 - 12:00 pm
Fundjava nisi me një aktivitet të veçantë edhe për kanionet e bukura të Nivicës. Trevat e lashta ilire u ballafaquan edhe një herë si në kohët e vjetra me “festën e Panit”, perëndisë së kullotave, gjësë së gjallë dhe mbrojtësin e barinjve që mendohej si një krijesë gjysëm-cjap e gjysëm-njeri. Miti që me sa duket duhet t’i ketë rrënjët në këto rrëpira të thella, e rizgjoi këtë trevë të hershme me gëzimin dhe harenë e një festivali baritor.
Festa e Panit mblodhi banorë të shumtë nga krahina e Kurveleshit si dhe fshatrat e bregut te detit në sheshin e restauruar të fshatit Nivicë, Kurvelesh.
E menduar në dy pjesë si një mënyrë për të promovuar jetën pastorale si dhe tufat e mëdha të dhive si një prej pjesëve më te spikatura të traditës labe, kjo festë gjallëroi një prej zonave më të veçuara të jugut.
Si një mundësi për të sjellë bashkë banorët e zonave bregdetare dhe atyre malore, kjo ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar banorët të kishin mundësi të reklamonin prodhimet e tyre duke pasur synim që në të ardhmen të krijojnë bashkëpunim në shkëmbimin e produkteve bujqësore e blegtorale.
Në mbrëmjen e festës, barinjtë e zonës me krenari prezantuan përpara një jurie cjepët që prijnë kopetë e tyre.
Cjapi, një simbol i rëndësishëm i pjellorisë, rezistencës dhe bukurisë së tufave baritore, është personifikimi i kësaj treve e cila që nga lashtësia e ka ruajtur këtë kafshë fisnike si një prej vlerave më të rëndësishme të saj.
Për këtë arsye, Pani i mitologjisë, mbrojtësi i barinjve, kullotave dhe jetës pastorale u përzgjodh si një simbol i rimëkëmbjes së jetës në këtë zonë të veçuar që me zhvillimin e turizmit rural mund të marrë jetë./ ata