Fillon ‘Festa e Verës dhe Gështenjës’, promovohet produkti vendas në Pogradec

29 Tetor, 2021 - 3:22 pm

Promovimi i produkteve tradicionale vendase, është fokusi kryesor i festës së “Verërave dhe gështenjave”, që është çelur sot në Pogradec.

E kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit, kjo festë tërheqë vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj të cilët shijojnë produktet vendase.

Festa e “Verërave dhe gështenjave” është shndërruar tashmë në një festë të përvitshme që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë në qytetin juglindor të vendit.

Entela Gusho, nënkryetare e bashkisë Pogradec tha ATSH-së, se ” këto dy ditë dhe netë (29-30 tetor) të mbushura me aktivitete dhe shije të veçantë ushqimesh tradicionale të zonës, janë një ftesë e hapur për të gjithë vizitorët, që të zgjidhin Pogradecin këtë fundjavë”.

Gusho u shpreh se, festa do të kalojë bukur me verë buti, gështenja të pjekura dhe nën tingujt e një koncerti të larmishëm muzikor.

“Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale. Po ashtu, bizneseve u krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale si dhe të vendosin kontakte për shitjen e prodhimeve të zonës në tregje të reja”, tha ajo.

Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.Aktualisht juria ka degustuar verërat që janë bërë pjesë e konkursit të Festës së Verërave dhe Gështenjës dhe do të ndaj tre çmime për: Vera më e mirë e kuqe artizanale; Vera më e mirë e bardhë artizanale dhe çmimi i Kantinës më të mirë. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme