5 Gusht, 2017 - 10:08 am
Sot fillon kampi ndërkombëtar me 40 të rinj nga Kosova, rajoni, Evropa dhe Amerika veriore të cilët për një javë do të jenë të vendosur në Qendrën Rekreative të Gërmisë, përcjellë KultPlus.
Përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese, argëtuese dhe edukuese, këta të rinj do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre të komunikimit, punës në grup dhe poashtu do të njihen me bukuritë natyrore dhe kulturore të Kosovës.
Ky kamp organizohet nga organizata kosovare për talent dhe arsim ‘TOKA’ dhe ka për qëllim të promovojë Kosovën dhe të thellojë miqësitë mes të rinjve të Kosovës dhe gjithë vendeve tjera të botës, njëkohësisht shërben si një ngjarje përmes së cilës po ndërtohen marrëdhënie të reja miqësie mes dy shteteve simotra, atë të Kosovës dhe Iowas të Amerikës.
Më saktësisht, të rinjtë e komunës së Gjakovës dhe Pejës do të takohen për herë të parë me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat simotra, ato të Johnston dhe Fort Dodge të shtetit të Iowas në Amerikë.
Pjesëmarrësit e kampit janë nga Kosova, Maqedonia, Rumania, Finlanda, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kampi do të zgjasë një javë dhe përfundon më datën 12 gusht. / KultPlus.com