22 Janar, 2019 - 8:58 pm
Kanë filluar punimet në kanionet e Holtës në Gramsh pavarësisht kundërshtimeve të shoqërisë civile. Mirëpo për të ndaluar këto punime tashmë ka filluar edhe nënshkrimi i një peticioni i cili ka marrë mbi 3 mijë nënshkrime.
Ndërtimin e HEC-it, i cili ka bërë që të betonizohet një pjesë e këtij kanioni, e ka kundërshtuar edhe i pasionuesi i natyrës, Nëntor Oseku. Ai përmes një postimi në Facebook ka ndarë disa fotografi të kësaj perle të Shqipërisë së Mesme. Oseku po ashtu ka ftuar njerëzit që të nënshkruajnë këtë peticion si dhe të bëhen pjesë e protestës e cila do të mbahet të premten.
“I indinjuar thellë për shkatërrimin e këtij monumenti të mbrojtur natyror, që do të ndikonte negativisht në turizmin shqiptar, ftoj miqtë dhe adhuruesit e shumtë të natyrës që masivisht ta nënshkruajnë peticionin, përkatësisht të marrin pjesë në protestën e organizuar nga aktivistët atdhetarë dhe shoqata “Zagoria”, e paraparë të mbahet në Sheshin Skenderbej në Tiranë, të premten, me datën 25.01.2019, duke filluar nga ora 11:00”, ka shkruar ai.
Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë. Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore, me drunj pishe, panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion. Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj. Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës./ KultPlus.com