26 Shtator, 2018 - 1:30 pm
Një peticion për mbrojtjen e ish Shtëpisë së Mallrave Gërmia ka nisur të nënshkruhet nga qytetarët e Kosovës.
Me iniciativë nga DoCoMoM_Kosova, peticioni kërkon të mbrohet kjo ndërtesë së cilës i kanoset rrënimi për ti hapur rrugë Sallës Universale.
Ish qendra tregtare Gërmia është njëri nga objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj.
Sot ky objekt është në rrezik të demolimit me pretekstin e hapjes së rrugës për ndërtimin e sallës koncertale.
“Me këtë peticion dëshirojmë ta nxisim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që sa më parë ta mbroj ligjërisht këtë objekt dhe kështu parandaloj demolimin e tij. Peticioni do i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës si dhe Kryetarit të saj” shkruhet në peticionin që po qarkullon online në internet dhe të cilin e kanë nënshkruar mbi 300 persona deri tash.
Këtu e gjeni linkun ku mund të bëheni pjesë e kësaj iniciative. / KultPlus.com