Fjalimi emocionues i Nënës Terezë kur mori çmimin ‘Nobel’ për Paqen

21 Shtator, 2021 - 2:26 pm

21 shtatori në mbarë botën shënon Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Pikërisht, në këtë ditë, KultPlus sjell fjalimin tejet emocionues të Nënë Terezës kur kjo e fundit pranoi çmimin ”Nobel” për Paqe.

Ishte 17-të tetori i vitit 1979 kur juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.

Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: ”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.

Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.

Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri.

Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel:

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!
”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com

Të ngjajshme