14 Janar, 2023 - 12:26 pm
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore solli në vëmendje një nga monumentet e kulturës, që mund të jetë edhe një destinacion interesant për t’u vizituar në fundjavë.
Objekti i përzgjedhur është kisha Fjetja e Shën Marisë në Leusë të Përmetit.
Kisha Fjetja e Shën Marisë në Leusë, Monument Kulture, Kat. I, vetëm 2 km larg qytetit të Përmetit, është e ndërtuar mbi një kodër, e cila lartësohet mbi lumin Vjosë.
Pozicionimi i kishës mes pyjesh, e vesh objektin e kultit me një aureole misticizmi sapo ky i fundit fillon të shfaqet mes gjelbërimit, duke përbërë rast perfekt të harmonizimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrës.
Ndërtimi bazilikal me kupolë përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Objekti i kultit është mjaft i njohur prej ikonostasit të tij të drurit, të gdhendur me mjeshtëri të lartë artistike dhe afresket. Mbishkrimi mbi portën veriore na informon se piktorët e kishës ishin Mihali, Jorgo dhe Jorgo nga Fjonjati. Kisha datohet në shekullin XVIII dhe është ende funksionale për besimtarët./atsh/ KultPlus.com