1 Korrik, 2018 - 6:17 pm
Flamuri i Kosovës nuk figuron në sajtin zyrtar të Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahet në Spanjë.
Në fillim flamuri i Kosovës ishte prezent në sajt aty ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, megjithatë ai është larguar një ditë pasi xhudistet Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin rrëmbyer medaljet e arta.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani për Koha.net ka thënë se flamuri është tërhequr me ndërhyrje të Qeverisë së Spanjës, gjë që sipas tij ka marrë edhe mbështetjen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare – ICMG, si dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar – IOC.
“Ka ndërhyrë Qeveria e Spanjës dhe deri në një masë kanë gjetur mbështetjen në ICMG dhe KON. Tash për tash kaq mund të them. Tjerat i sqarojmë me kumtesë ose konferencë për shtyp”, ka thënë Hasani për Koha.net.
Për këtë çështje Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, por që deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tij. Që të dy, Gashi e Hasani aktualisht gjinden në “Tarragona” si pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra.
Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”.
Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, dhe në fillim nuk kishte dashur as të pranonte sportistët kosovarë, por pas presionit ndërkombëtar ishte zmbrapsur. Megjithatë, Spanja po vazhdon ta trajtojë si jo të barabartë Kosovën.
Kujtojmë gjithashtu se Kosova është e pranuar në ICMG dhe KON me të drejta të plota. / KultPlus.com