15 Maj, 2018 - 7:00 pm
Ansambli “Epirus”nga Selaniku, Greqi, u shpall fitues i edicionit të 10 -të “Aulona Inter Folk Festival”, që u zhvillua përgjatë një festë tre ditore nga 12-14 maj në qytetin bregdetar të Vlorës.
Por, mbrëmjen e djeshme në natën e fundit të festivalit u dha edhe një tjetër çmim, ai i 10 vjetorit të Festivalit, me të cilin u nderua ansambli nga Kina “Minnan Folk, nga qyteti Quan Zhoi.
Përgjatë tre ditëve, Vlora u pushtua nga ritmi i traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga vende si Shqipëria, Bullgaria, Italia, Letonia, Greqia, Sllovakia, Kina, Kosova.
Drejtori i këtij festivali Sejmen Gjokoli, tha sot për ATSH-në se ”edicioni i 10-të si asnjëherë tjetër pati një performancë vërtetë të jashtëzakonshme, sepse u ngjitën në skenë mbi 300 artistë. Festivali preku të gjitha ambientet e reja social kulturore në Vlorë, si sheshi Lungomare, rrugët dhe sheshet e tjera të qytetit”.
Sipas tij, në sheshin e Flamurit pati një performancë të rrallë, ku ishte edhe skena kryesore e festivalit, në të cilën ansamblet popullore performuan për tre netë me radhë.
Gjokoli tha se ky aktivitet promovoi jo vetëm kulturën dhe folkun, por mbi të gjitha edhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
“Përveç konkurrencës në skenë pati performanca edhe në rrugë dhe sheshe të ndryshme.Ky festival kishte edhe dimension turistik pasi grupet pjesëmarrëse shkuan edhe në kalanë e Kaninës, si dhe u promovua edhe kulinaria vendase në rivierën e Radhimës”, nënvizoi Gjokoli.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe parada e kostumeve popullore të artistëve pjesëmarrës në festival të organizuar në sheshin “Tre rracat”, në Vlorë.
Ky festival ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.
Festivali u organizua nga Qendra Kulturore “Aulona” në Vlorë, me mbështetjen kryesore të Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Ministrisë së Kulturës./k.s/