Fortifikimi i Kratulit, pasuri arkeologjike e Shkodrës

18 Mars, 2024 - 4:00 pm

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër prezantoi në faqen e saj online një prej pasurive arkeologjike të zonës së veriut, fortifikimin e Kratulit. Ky fortifikim gjendet në majën e kodrës me të njëjtin emër, 143 metra mbi nivelin e detit, 8 km në verilindje të Shkodrës (Postribë) dhe vetëm 600 metra larg nga Ura e Mesit.

Muri mbrojtës mbyll një hapësirë në formë elipsi me sipërfaqe përafërsisht 0,5 ha.
Muri është ndërtuar me blloqe të mëdhenj në dy faqet anësore, kurse mesi është mbushur me gurë mesatarë dhe të vegjël. Blloqet janë të papunuar dhe janë lidhur me njëri-tjetrin në të thatë. Gjerësia e murit arrin deri në 3,35 m ndërsa lartësia deri në 2,55 m.

Tri porta, tẽ cilat i shërbenin hyrjes dhe daljes së vendbanimit, janë identifikuar. Dy prej tyre gjenden përballë njëra-tjetrës në anët veriore dhe jugore, ndërsa tjetra në anën lindore tẽ fortifikimit.

Nga pikëpamja tipologjike dhe teknika e ndërtimit fortifikimi i Kratulit është i ngjashëm me atë të Gajtanit megjithatë ka edhe ndryshime thelbësore në planimetri si kulla dhe forma e rregullt eliptike, çka e bëjnë këtë fortifikim të veçantë. Brenda murit rrethues nuk janë gjetur gjurmë banesash.

Materiali arkeologjik tregon se vendbanimi ka pasur një jetë të gjatë, që fillon në Periudhën e Hekurit të Hershëm dhe zbret deri në shekullin l pas Krishtit./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme