10 Janar, 2023 - 9:30 am
Viti i ri vjen me punë të reja për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar nisi puna për dezinfektimin e objekteve të këtij fondi. Procesi i dezinfektimit do të ndiqet nga fotografimi me cilësi maksimale në laboratorin e ri fotografik.
Kjo punë do të vijojë përgjatë gjithë vitit, duke siguruar dokumentimin e sakë të çdo objekti që ruhet dhe ekspozohet në këtë muze.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj. /atsh / KultPlus.com