19 Mars, 2018 - 7:30 pm
Franca Viola, vajza që refuzoi të ashtuquajturën “martesë riparuese”. Ishte historia e saj, që në Itali ndryshoi nenin 544 të Kodit Penal të Italisë. Deri më parë, në rastet e përdhunimeve, krijohej një marrëveshje që qonte në martesën e viktimës me përdhunuesit. Kjo quhej si një lloj riparimi i veprës së kryer, sepse asokohe përdhunimi nuk cilësohej si një cenim i personit, por i moralit të shoqërisë.
Kjo vajzë, në ato vite pati guximin të refuzonte martesën me dhunuesin e saj, duke ngritur debatin dhe polemikat, që quan në ndryshimin e atij neni.
Dita e Shën Stefanit sjell në mendje një histori italiane që tronditi shoqërinë e kohës, duke modifikuar në mënyrë të pakthyeshme jo vetëm kodin penal, por edhe mentalitetin e vendit. Ishte viti 1965, atëherë 17 vjeçarja Franca Viola, një vajzë e re siciliane nga Alcamo, u rrëmbye së bashku me vëllain e saj 8 vjeçar, u mbyll në një shtëpi dhe u përdhunua në mënyrë të vazhdueshme për tetë ditë rresht nga Filippo Melodia, një djalë vendas. Në ditën e Vitit të Ri, babai i Franca Violës u kontaktua nga prindërit e Melodia-s në mënyrë që të detyroheshin prindërit e vajzës që të pranonin martesën riparuese mes dy të rinjve – të ashtuquajturën”paciata” – praktikë shumë në modë asokohe. Prindërit e Frankës u shtirën sikur pranuan, por në bashkëpunim me policinë, më 2 janar të vitit 1966 agjentët e policisë ndërhynë për të liruar vajzën, duke arrestuar Melodia-n dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pse historia e Franca Violës e ndryshoi Italinë përgjithmonë? Sipas moralit të kohës, një vajzë jo e virgjër për shkak të një përdhunimi, duhej domosdoshmërisht të martohej me rrëmbyesin e saj për të ruajtur nderin e saj dhe, mbi të gjitha, atë të familjes. Në nenin 544 të Kodit Penal, thuhej: “Për krimet e përshkruara para nenit 530, martesa, që autori i krimit kontrakton me palën e dëmtuar, shuan veprën penale, madje edhe për ata që kanë bashkëpunuar në të njëjtin krim, dhe nëse ata janë dënuar, pushohet ekzekutimi i dënimit dhe efektet penale”. Kjo përkthehet, në atë kohë ligji lejonte që të shuhej krimi i rrëmbimit dhe përdhunimit ndaj një gruaje thjesht duke pranuar martesën me të, që këtej mori kuptim shprehja martesa riparuese, riparuese për dosjen penale të keqbërësit në mënyrë që ai të dilte krejtësisht i pastër, pavarësisht se kishte bërë një veprim të gabuar. Megjithatë, në atë kohë, përdhunimi nuk konsiderohej krim kundër personit si sot, por një krim kundër moralit publik dhe dënimet, pra, ishte shumë më të ulëta se ato të sotmet.
Historia e Franca Violës, ama, ngriti polemika të forta dhe të papritura, të cilat kontribuan në një ndryshim të mprehtë të ritmit. Melodia u gjykua dhe u dënua me 11 vjet burg, gjyqtarët nuk besuan akuzat e thëna nga djali për të diskredituar vajzën, duke pretenduar se ajo kishte rënë dakord për ndodhinë që ti vinte prindërit e saj para faktit të kryer dhe t’i detyronte ata që të jepnin autorizimin për martesë. Rasti i Franca Violës, çoi në demonstrata dhe deklarata nga feministet dhe shoqëria civile, të cilat bënë presion derisa u shfuqizua Neni 544 i kodit penal që i jepte këtë rrugëdalje përdhunuesve. Kështu, pas vitesh debati, neni u shfuqizua më 5 gusht të vitit 1981, ndërkohë që vetëm 20 vjet më parë, në vitin 1996, përdhunimi u njoh më në fund në Itali si një krim kundër personit dhe jo kundër moralit publik, me rritje konsekuente në ashpërsi dhe ndëshkime. Falë betejës së saj, e reja Franca Viola u bë – dhe ende është – një simbol i emancipimit të grave në Itali, gruas që arriti të ndryshonte përgjithmonë mentalitetin e një vendi./A.A.