24 Gusht, 2019 - 5:30 pm
Arkeologjia shqiptare është vënë në “lupën” e francezëve dhe italianëve. Prej disa ditësh misione arkeologjike nga Franca dhe Italia kanë nisur gërmimet në Apoloni dhe Rubik për të ndihmuar në zbulimet e reja që do të hedhin dritë në studimin e qytetit antik.
Në fakt, që nga viti 1992 ekspeditat janë një bashkëpunim shqiptaro-francez, të cilat kanë në fokus zonën e Akropolit dhe pjesën e sipërme të agorasë së qytetit të Apolonisë. Lidhur me këto misione gërmimi ka reaguar edhe ambasada e Italisë ditën e djeshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada italiane ka shpërndarë foto nga puna e ekspertëve që po japin kontributin e tyre. Sipas ambasadës, grupi i ekspertëve italianë është i përqendruar tek zona e Rubikut për të nxjerrë në pah pasuritë minerare të asaj zone. “Projekti “Të dhëna arkeologjike dhe të teledetektuara për studimin e peizazheve minerare në Shqipëri”, financuar nga Ministria e Jashtme Italiane do të përqendrohet veçanërisht në zonën e Rubikut me qëllim njohjen e pasurisë minerare shqiptare dhe stimulimin e interesit kundrejt pikave më të rëndësishme.
Grupi i punës përbëhet nga arkeologë, topografë dhe gjeologë me përvojë, të koordinuar nga Dr. Pasquale Merola, drejtues i misionit dhe aero-topograf i CNR. Udhëtimi i parë i punës drejt Shqipërisë parashikohet në data 1-5 tetor 2019”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane. Pak ditë më parë gërmimet në parkun arkeologjik të Apolonisë nxorën në sipërfaqe një granatë dore që mendohet se i përket Luftës së Parë Botërore. I gjithë territori u rrethua me perimetër sigurie dhe pranë vendit ku është gjetur granata shkuan edhe forcat policor. Në vendin e ngjarjes ishte edhe ekspedita franceze e cila po gërmonte në atë zonë.
Gërmimet e para
Gërmimet e para në Apoloni filluan nga arkeologu austriak Camilo Praschniker në vitin 1916-1918. Arkeologu francez Leon Rey, i filloi gërmimet në vitin 1924 deri më 1938 në qendrën monumentale të Apolonisë. Gërmimet sistematike filluan nga shqiptarët në 1947 nga arkeologu Hasan Ceka, pjesë e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Gërmimet u realizuan dhe vazhduan me një bashkëpunim shqiptaro-rusë nga 1958-1960, me arkeologët Selim Islami, Hasan Ceka dhe V. Blavatski.
Pas vitit 1961 gërmimet u realizuan nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë me një sërë arkeologësh si: Hasan Ceka, Aleksandra Mano, Burhan Dauti,Vangjel Dimo, Bashkim Vrekaj, Lami Koco etj.. Që nga viti 1992 ekspeditat janë një bashkëpunim shqiptaro-francezë të cilat kanë në fokus zonën e Akropolit dhe pjesën e sipërme të agorasë së qytetit të Apolonisë.
Më herët në parkun arkeologjik të Apolonisë, në Fir nisi ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze, e cila i përqendroi gërmimet tek banesat romake të shekullit të III pas Krishtit, ku është zbuluar busti i një atleti dhe busti në bronz i një femre. Arkeologu shqiptar, Lami Koçi u shpreh pak kohë më parë se në parkun arkeologjik të Apolonisë ka ende për të gërmuar, pasi pjesa më e madhe e saj është ende e pazbuluar. Po arkeologu ngriti si shqetësim faktin se për të kryer të tilla gërmimesh nevojitet një buxhet i lartë. “Por për të kryer gërmime të shumta kërkohen investime dhe mbështetje financiare më të mëdha”, u shpreh arkeologu Lami Koçi. /sot.com/KultPlus.com