9 Korrik, 2018 - 10:51 am
Është e trishtë historia e Negovanit. Në vitin 1928 këtij fshati të famshëm iu kthye emri në Flamburo. Në ditët e sotme aty ende banojnë shqiptarë ortodoksë dhe pak vllehë. Por sipas të dhënave nga viti 1912 deri në vitin 1928 në Negovan banonin rreth 1100 njerëz.
Ky fshat është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij. Në shumë shkrime të mëparshme kemi përmendur që në këtë fshat u hapën shkolla shqipe dhe u mbajtën mesha në gjuhën shqipe që në fillim të shekullit XX.
Fshati është i njohur sepse këtu lindën figura të shquara shqiptare ndër më të njohurit Papa Kristo Negovani dhe Theodhos Haradhambi Negovani, të cilët u vranë barbarisht nga grekët në vitin 1905 sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe.
Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.
Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.
Sipas të dhënave që disponon historiani i njohur Arben Llalla në librin e tij “Demografia në viset Veriore të Greqisë”, shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro.
Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.
Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.
Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.
Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë. / KultPlus.com