28 Shtator, 2018 - 11:15 pm
Sarandë Selimi
Në hyrje të Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, vizitorët gjenden përballë një kabine të bardhë aty ku qëndrojnë disa mirëmbajtës, por jo gjithmonë mund të takohen me ‘ciceronin’ e këtij parku. Ky nuk është problemi i vetëm i projektit që Kosovës i ka kushtuar qindra mijëra euro.
Në tabelat që informojnë qytetarët për përmbajtjen arkeologjike të parkut të vetëm arkeologjik, ka gabime të tmerrshme drejtshkrimore. Ndër to është edhe tabela informuese në të cilën në vend që të jetë e shënuar “Gjurmët e tempullit pagan me portiko” është shënuar “Gjumët”, shkruan KultPlus.
Po ashtu në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” akoma mungon ndriçimi. Ndërsa si ciceron atëherë kur është aty shërben udhëheqësi i projektit Milot Berisha. Parku Arkeologjik “Ulpiana“ shtrihet në komunën e Graçanicës, zona kadastrale Graçanicë, ka perimetër 161.10 Ha dhe zonë rrethuese 96.23 Ha.
Ky park është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe është nën administrimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamentit të Trashëgimisë Kulturore. Themelimi i Parkut Arkeologjik “Ulpiana” ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike të tij, si dhe krijimin e kushteve më të mira të shfrytëzimit për qëllime shkencore, sociale, ekonomike dhe turistike./ KultPlus.com