Gashi: Do të formojmë komisionin për menaxhimin e planeve arkeologjike

13 Gusht, 2018 - 2:25 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka vizituar sot lokalitetin e Dresnikut, për të parë nga afër punimet që po bëhen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës atje.

Ministri Gashi ka thënë se përmes kësaj vizite, ka dashur t’i shohë punimet nga afër dhe të njoftohet me nevojat që ka stafi i arkeologëve.

“Është një prej lokaliteteve shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe në këtë kuadër jam shumë i interesuar që me komunën, autoritetet lokale të bashkëbisedojmë edhe për çështjen e pronave, t’u e pasur parasysh që pronat janë private, dhe në të njëjtën kohë jemi të interesuar që bashkë me institucionet përkatëse të formojmë edhe Komisionin për hartimin e planit të menaxhimit, jo vetëm për lokalitetin e Dresnikut, por edhe për pjesët tjera”, ka thënë Gashi.

Ministria e Kulturës sipas Gashit është e interesuar që për të gjitha gërmimet që po ndodhin në lokalitetet si Dresnik, Ulpianë, të ndahen edhe mjete shtesë sipas nevojës në koordinim me planin e punës që kanë këto institucione, në mënyrë që të sjellin rezultate që kanë sukses. Vitin 2018, Gashi e ka quajtur si viti të trashëgimisë kulturore.

Ndërsa Elvis Shala, udhëheqës i këtij projekti, ka treguar se MKRS po i financon punimet që shtatë vite, dhe ka thënë se nëse investimet vazhdojnë, ky lokalitet do të bëhet një pikë turistike. Ai ka thënë se në bazë të punimeve, mendohet se ky ka qenë rezidencë e Perandorisë Romake.

“Pjesa kryesore është rezidenca e fund shekullit III dhe me gërmime të deri tashme e dimë për ekzistencën e murit rrethues, pallati numër 1 dhe pallati numër 2. Të gjitha këto struktura, janë kry gërmimet dhe konservimet, tash presim në vitet e ardhshme të zbulojmë edhe stadiumin edhe monumente tjera përcjellëse”, ka thënë Shala.

Në Dresnik aktualisht po bëhen gërmime për një pallat historik. Në vizitë kanë qenë edhe drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Enver Rexha, edhe drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të këtij instituti./ KultPlus.com

Të ngjajshme