Gashi: Kosova ka bërë hapa mëdhenj me aprovimin e legjislacionit modern për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta

26 Prill, 2018 - 1:03 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën “Të Drejtat Pronësore Intelektuale” e cila u organizua në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Dogana e Kosovës. Motoja e konferencës për këtë vit është “Gratë në inovacion dhe kreativitet”.

Ministri Gashi në fjalën e tij të rastit në hapjen e kësaj konference u shpreh: “Motoja e këtij viti Gratë në inovacion dhe kreativitet, është moto e qëlluar dhe shumë e rëndësishme, sepse të gjithë ne e kemi të qartë se gratë janë shumë kreative dhe inovative, dhe se gratë janë forca e ndryshimit. Institucionet veçanërisht duhet që të punojnë që të përkrahin dhe nxisin sa më shumë që gratë të angazhohen në punë kreative dhe inovacion, kështu do të siguronim kontributin e tyre të veçantë dhe të çmuar për kulturën dhe shoqërinë tonë”.

Më tej, ministri Gashi tha se “pronësia intelektuale ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin dhe avancimin e kulturës, shkencës dhe teknologjisë së vendit” dhe shtoi: “Ne jemi duke punuar për të krijuar një sistem të drejtës së autorit, ku krijuesit, performuesit dhe mbajtësit tjerë të të drejtave të autorit kompensohen dhe veprat e tyre trajtohen ndershëm e me dinjitet, ky është edhe qëllimi i ligjit për të drejtën e autorit dhe mision i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Krijimtaria kulturore e mbrojtur me të drejtën e autorit sot është e ardhmja e trashëgimisë kulturore nesër, ne duhet t’i inkurajojmë dhe t’i japim nxitje krijuesve, përformuesve dhe investitorëve, në punën dhe investimet e tyre”.

“Kosova ka bërë hapa mëdhenj me aprovimin e legjislacionit modern për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta” vazhdoi Gashi dhe bëri të ditur se kjo vlerësohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2018.

Ministri Gashi po ashtu foli edhe për arritjen e marrëveshjes për tarifat e përgjithshme në mes të Shoqatës për menaxhim Kolektiv në fushën e muzikës “APIK” dhe të përfaqësuesve të televizioneve dhe radiove, duke shtuar se “ky është hap historik për vendin, që siguron zbatim të drejtave të autorit dhe kompensim të autorëve, përformuesve e producentëve. Së shpejti do të miratohet Strategjia e re Kundër Piraterisë, dhe Rregullorja për Kompensime të Veçanta, duke siguruar kështu vazhdimin e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare dhe jetësimin e të drejtave të autorit”.

Gjithashtu, ministri Gashi tha se “zbatimi i të drejtave të autorit mbetet sfidë e institucioneve të zbatimit të ligjit, të vazhdojnë të marrin masa për të siguruar zbatim të drejtave të autorit. Posaçërisht zbatimi i drejtave të autorit në ambientin digjital kërkon më shumë angazhim dhe bashkëpunim edhe me autorët, performuesit dhe shoqatat e tyre, me qëllim që të jemi sa më të suksesshëm në krijimin e një sistemi të drejtave të autorit, ku krijuesit e performuesit mbrohen e kompensohen për punën e tyre”.

Ministri Kujtim Gashi, në fund të fjalës së tij në këtë konferencë, vuri theksin te zbatimi i ligjit, duke thënë se “vetëm duke zbatuar ligjin për të drejtat e autorit mund të ketë një zhvillim të krijimtarisë artistike, shkencore dhe kulturës në përgjithësi, përfshirë këtu zhvillimin e industrive kreative dhe medieve të shkruara dhe elektronike së bashku me radio dhe televizione”./ KultPlus.com

Të ngjajshme