27 Nëntor, 2018 - 12:39 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në konferencën “Toleranca & Siguria Njerëzore e të Rinjve në Kosovë” e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Qëllimi i kësaj konference është reflektimi mbi të arriturat e vitit 2018 nga ky sektor në përkrahjen dhe fuqizimin e të rinjve në fushën e sigurisë njerëzore si dhe rolin e OSBE-së në bashkëpunimin e mëtutjeshëm me MKRS-në në fushën e sigurisë për të rinj.
Me këtë rast ministri Kujtim Gashi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet edhe më tutje njëra nga institucionet kryesore për parandalimin e dukurive negative për të rinjtë, përfshirë këtu edhe luftimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.
“Për realizimin e suksesshëm të misionit tonë në fushën e sigurisë ne këtë vit kemi mbështetur 28 organizata në fushën e sigurisë përfshirë këtu: parandalimin e trafikimit, delikuencës, kriminalitetit, dhunës ndëretnike, promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, si dhe janë mbështetur 19 qendra dhe organizata rinore në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, 5 prej të cilave në partneritet me OSBE-në”, tha ministri Gashi.
“Si ministri pos mbështetjes financiare që po u bëjmë organizatave rinore e qendrave rinore, ne jemi në finalizim të strategjisë së re, e cila do të jetë e përkushtuar në mekanizmat e rinisë. Jam këtu për ta konfirmuar mbështetjen si ministër, si MKRS që asnjë i ri i joni të mos jetë i prekur nga këto tema që do të trajtohen sot”, ka thënë ministri Gashi.
Ai theksoi se “inkurajoj të gjithëve që të kontribuojmë sa më shumë në avancimin e mbrojtjes dhe promovimit të një mjedisi sa më të mirë dhe më të sigurt për të rinjtë tanë si dhe të synojmë që këto rezultate të arrihen gjithmonë brenda kornizave të legjislacioneve vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërkaq Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë në MKRS, tha se “Këtë vit kemi mbështetur disa OJQ, për të pasur qasje në ruajtjen e ambientit ku jetojmë. Përshëndes donatorët që kanë kontribuar në ruajtjen e sigurisë”.
Ganimete Gërboci nga Departamenti i Sigurisë Publike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha se siguria është një ndër shtyllat kryesore që e garantojnë kushtetutshmërinë e shtetit.
“Krahas boshteve tjera kryesore të një shteti, siguria mbetet shtylla kurrizore e ekzistencës fizike dhe garantimit të kushtetutshmërisë. Çelësi i suksesit për të rritur nivelin e sigurisë në vend është komunikimi midis institucioneve në nivel qendror dhe lokal. Bashkëpunimi ndërmjet ministrive është rritur dukshëm. MKRS-ja është ministri që ka pas vetes të gjithë rininë. ne jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo ministri sepse qëllimet tona janë të njëjta”, ka thënë Gërboci./ KultPlus.com