6 Tetor, 2022 - 12:30 pm
Është drejt përfundimit ekspedita 2-mujore e gërmimit arkeologjik dhe konservimit, e cila po zhvillohet në tempullin antik të Shtyllasit, Monument Kulture Kategoria e I-rë.
Tempulli antik i Shtyllasit ndodhet pranë Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Punime që kryhen aty, vijnë falë bashkëpunimit të Institutit të Arkeologjisë së Tiranës me Universitetin e Berlinit, nën mbikqyrjen e Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Gërmimi arkeologjik dhe zbulimet e kryera, sjellin dëshmi autentike të një tempulli antik, rreth 2500 vjeçar, i cili ruan plotësisht bazamentin e tij, ku hamendësimet e para janë për përmasa rreth 1000 m² dhe funksioni i tij ishte për shërbesat religjoze të zonës, si një prej tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon.
Misioni arkeologjik, do të vijojë edhe në vitin 2023, me qëllimin, zbulimin e plotë të strukturës arkitektonike së tempullit dhe sigurisht më pas, kthimin e tij në një prej objekteve më të vizitueshme të zonës, ku së fundmi ky tempull i është shtuar dhe itinerarit kulturor/natyror të krijuar nga DRTK Vlorë, Spinarica Route.