6 Tetor, 2023 - 8:56 am
Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Parkun Arkeologjik të Bylisit, në territorin që administrohet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Vlorë, kanë nxjerrë në dritë monumente të tjera antike, të cilat plotësojnë kuadrin e zhvillimit urbanistik në zonën publike.
Krahas vijimit të gërmimit të cisternës publike, në kuadër të verifikimit të gjeofizikës, sondazhet e kryera zbuluan tempullin dedikuar perandorit Octavian Augustus.
Monumenti ishte i pozicionuar në fillim të agorasë përballë Pytaneonit, çisternës së madhe publike dhe termës së antikitetit të vonë, ku sipas ekipit të arkeologëve, mendohet të jetë një tempull dedikuar Augustit.
Në këtë projekt arkeologjik, drejtuar nga dr. Olgita Ceka, prof. Neritan Ceka dhe prof. Skënder Muçaj, tashmë bashkëpunon edhe DRTK Vlorë, e cila kontribuon me specialistët e saj në mbarëvajtjen e gërmimit arkeologjik, por edhe të ndërhyrjeve paraprake të konservimit e restaurimit.
Kjo fushatë kërkimore ka patur në fokus qendrën monumentale dhe monumentet publike të agorasë në qytetin antik të Bylisit. / atsh / KultPlus.com