Gërryerja e trashëgimisë kulturore

15 Shtator, 2021 - 1:34 pm

Përveç dëmeve të mëdha në mjedis, gurthyesit po e dëmtojnë edhe trashëgiminë kulturore. Disa prej tyre i ka identifikuar Preportr, gjatë një hulumtimi disa mujor në terren. Zyrtarët kompetentë kanë filluar të merren me këtë çështje tek pasi në disa raste është parë që gurthyesit e kanë dëmtuar trashëgiminë kulturore. Identifikimi i gurthyesve në zona të trashëgimisë kulturore nuk do të bëhet shpejt për shkak të mungesës së aparaturave të…

Nga Drenusha Canolli, Mirlind Behluli

Janë qindra licenca për gurthyes anembanë Kosovës që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ndër vite ua ka dhënë kompanive të ndryshme. Ndikimi i tyre në mjedis tashmë ka alarmuar institucionet e vendit, të cilat kanë vendosur moratorium dy vjeçar për gurthyesit e rinj dhe ata në procedurë dhe njëkohësisht kanë iniciuar një shqyrtim të përgjithshëm të ligjshmërisë së aktivitetit të gurthyesve. Për dallim nga dëmet e mëdha në mjedis që i bëjnë gurthyesit e të cilat kanë filluar të adresohen nga institucionet, implikimi i eksploatimit të gurthyesve në trashëgiminë kulturore të Kosovës mbetet një fushë pak e hulumtuar dhe jo mjaftueshëm ligjërisht e rregulluar.

Përkundër se ka mbi 1743 monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), deri më tani autoritetet kompetente kanë intervenuar në vetëm tri raste për të ndalur punën e mëtutjeshme të gurthyesve të licencuar nga KPMM-ja, të cilët zhvillojnë aktivitetin e tyre afër lokaliteteve arkeologjike.

Ekipi i Preportr ka dalë në terren dhe i ka parë për së afërmi të tri lokalitetet dhe dëmet që u janë bërë atyre nga gurthyesit.

Ekskavatorët e kompanisë, “SB Construction” në Graboc të Epërm të Obiliqit kanë ndalur punën. Ndonëse të licencuar për të bërë gërmime, ata nuk punojnë pasi që hapësira ku gurthyesi supozohej të realizonte aktivitetin e tij është zonë nën mbrojtjen e përkohshme të MKRS-së.

Sipas hartës së Institutit Arkeologjik, në “Majën e Zezë” gjendet fortifikata, ndërsa sipas Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit, të Komunës së Obiliqit, ky lokalitet ka vlera të mëdha arkeologjike, por që në mungesë të gërmimeve arkeologjike ka mbetur në harresë të kohës. Megjithëse, komuna në Strategjinë e saj theksonte se në të ardhmen planifikohet që të shtrihen gërmimet arkeologjike në këtë lokalitet, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Në këtë hapësirë, gërmimet planifikonte t’i bënte kompania e licencuar nga KPMM, e cila e ka shënjuar hapësirën nga ku do të nxirrte materialin guror.

Puna e këtij gurthyesi u stopua, pasi që Instituti Arkeologjik e njoftoi zyrtarisht KPMM-në se hapësira për të cilën kjo kompani është licencuar për shfrytëzim, është e evidentuar në hartën arkeologjike të Kosovës si trashëgimi kulturore.

EVIDENCA E LOKALITETEVE ARKEOLOGJIKE ËSHTË BËRË, POR NUK ËSHTË BËRË SIMETRIA, GJEOMETRIA APO KOORDINATAT GJEOGRAFIKE TË SAKTA
Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik

Në mungesë të aparaturave të nevojshme për matje gjeometrike, kapaciteteve të vogla e moskoordinimit institucional, sipas Institutit, po ngadalësohet identifikimi i gurthyesve në zona të trashëgimisë kulturore.

Enver Rexha, udhëheqës i Institutit Arkeologjik të Kosovës, deklaron se ndonëse evidenca e lokaliteteve arkeologjike është përfunduar, ende nuk është bërë gjeometria për të përcaktuar saktësisht shtrirjen e hapësirave arkeologjike.

Një gjë e tillë, sipas Rexhës, ndikon edhe në kërkesat e Institutit për të mos aprovuar licenca të gurthyesve nga KPMM në zonat arkeologjike.

“Evidenca e lokaliteteve arkeologjike është bërë, por nuk është bërë simetria, gjeometria apo koordinatat gjeografike të sakta, sepse nuk kemi pas mundësi dhe nuk kemi kapacitete me bë atë ndërhyrje paralelisht. Na duhet simetria apo gjeometria për 400 lokalitete që janë prodhim i yni dhe për hartat që janë të evidentuara e që janë identifikuara si lokalitete tjera, por që nuk janë në listën tonë. Na duhet me i studiu me vite të tëra për ta bërë një planimetri edhe me i vendos koordinatat e sakta”, thotë Rexha.

Moskoordinim institucional: Pak raste të evidentuara të gurthyesve në zona arkeologjike

Që nga pas lufta, në Kosovë janë identifikuar vetëm tri raste kur trashëgimia kulturore është rrezikuar nga veprimtaria e gurthyesve.

Përveç rastit në Graboc të Epërm, institucionet kanë arritur të ndalin punën e gurthyesve edhe në fshatrat Lipë të Pejës dhe në Dollc të Komunës së Klinës, të cilat janë të listuara si zona nën mbrojtje të përkohshme nga MKRS-së.

Preportr, e ka identifikuar edhe një lokalitet arkeologjik i cili mund të dëmtohet nga veprimtaria e një gurthyesi. Ndonëse është prej monumenteve arkeologjike nën mbrojtjen e shtetit, ekskavatorët e kompanisë “Guri Company”, që në vitin 2011 ishte listuar si operues ilegal, e vazhdojnë punën në afërsi të “Shenjtores së Shpellës”, kishës ortodokse në Gërnçar të Komunës së Kllokotit. E nën kishë, gjendet edhe shpella paleolitike, ndërkaq pak më tutje në malin e fshatit janë edhe muret rrethuese të antikitetit të vonë romak. Megjithatë, kjo nuk e pengon gurthyesin e licencuar nga KPMM-ja që në një distancë jo fort të largët nga këto monumente të jetësojë aktivitetin e saj ku përfshihet edhe minimi për nevoja të nxjerrjes së sasisë sa më të madhe të gurëve.

Fat edhe më tragjik ka përjetuar Kalaja e Lipës, monument nën mbrojtjen e përkohshme të shtetit e cila gjendet shtatë kilometra larg qendrës së qytetit të Pejës. Ekzistenca qindra vjeçare e kalasë, e cila daton nga shekujt IV-VI të erës sonë, për vite të tëra është në përballje për mbijetesë me ekskavatorët e gurthyesit që gjendet afër këtij lokaliteti. Historia e ‘luftës’ së kalasë me ekskavatorët e kompanisë është e gjatë duke filluar në vitin 2013. Kompania Idila Sh.p.k që po i zhvillon punimet këtu për disa vite ka qenë në pronësi të gruas së ish-ministrit, ish-deputetit dhe ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Berishës. Në historikun e kompanisë që Preportr e ka siguruar nga ARBK përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, Iliriana Berisha ka qenë bashkëpronare në këtë kompani deri në vitin 2016, kur sipas deklarimit të pasurisë të Rrustem Berishës, ajo i ka shitur aksionet. Më pas si pronar i kësaj kompanie deri me 2019 ka figuruar emri i Visar Kelmendi, ndërsa këtë vit si pronare figuron emri i Deniza Berishës.

Preportr, e ka kontaktuar këtë kompani në numrin që figuron në ARBK, por personi që është kontaktuar (Visar Kelmendi) nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se kompaninë e ka shitur. Tani sipas regjistrit të ARBK-së, pronari i vetëm i Idila SH.P.K me 100 përqind të aksioneve është Deniza Berisha. Është kontaktuar edhe Deniza Berisha, në numrat kontaktues që i ka vendosur në dy biznese të tjera që figurojnë në emër të saj në ARBK, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

Pavarësisht kush ka qenë apo është pronar i kompanisë, punimet e gurthyesit herë pas here janë ndërprerë pasi banorët e fshatit nuk kanë lejuar që gurthyesi t’ua dëmtojë kalanë e fshatit. Ata kanë protestuar në mbrojtje të kalasë, por asnjëherë punimet nuk janë ndërprerë tërësisht dhe nuk është shikuar mundësia e rishikimit të licencës që është dhënë për këtë gurthyes.

Edhe rasti i Kalasë së Lipës vë në pah mungesën e koordinimit institucional pasi që ndonëse e licencuar nga KPMM, kompanisë iu ndërpre aktiviteti nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nën arsyetimin se kompania kishte tejkaluar perimetrin prej 100 metrave nga mbetjet e kalasë. Megjithatë, punimet afër Kalasë së Lipës vazhdojnë ende.

Sipas Ramiz Krasniqit, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, puna e gurthyesve bëhet sipas ligjit në fuqi.

Ramiz Krasniqi thotë se KPMM bazohet në legjislacionin në fuqi kur lëshon licenca dhe se ky institucion i pavarur para se të licencojë ndonjë subjekt, i merr në konsideratë ndikimet e veprimtarisë së gurthyesve në trashëgimi kulturore.

I pari i KPMM-së, autoritetit licencues të gurthyesve, deklaron se perimetri i sigurisë prej 100 metra për zonat e trashëgimisë kulturore është i mjaftueshëm.

100 METRA LARG ËSHTË E MJAFTUESHME PA MINIM, KURSE ME MINIM 500 METRA ËSHTË MJAFTUESHËMRamiz Krasniqi, drejtor i KPMM-së

“100 metra larg është e mjaftueshme pa minim, kurse me minim 500 metra është mjaftueshëm. Sepse edhe në bazë të matjeve sizmike që bëhen në rast të minimit, dridhjet nuk shkojnë më shumë ndikime. Shpesh kemi ankesa të qytetarëve me kilometra, por nuk është e vërtetë një gjë e tillë, sepse nuk munden dridhjet e minimit të shkatërrojnë një objekt që është më shumë se 500 metra larg. Tash janë metodat e reja për minime që mund të bëhet minimi edhe 10 metra afër dhe të mos dëgjohet”, thotë Krasniqi.

Tutje ai e vë theksin në problemet e koordinimit ndër institucional në mbrojtje të trashëgimisë kulturore nga gurthyesit.

Krasniqi tregon se si në Gremnik të Klinës, një gurthyesi të licencuar iu ndalua puna pasi ‘rastësisht’ në atë zonë kaloi me veturë një punëtor i Institutit Arkeologjik, i cili më pastaj lajmëroi KPMM-në për rëndësinë arkeologjike të zonës.

“Vitin e kaluar e kemi pas një rast në Klinë, në zonën tek Gremniku kah të shkoni në të majtë në Dollc. Kompania është pajisur me pëlqim mjedisor komunal, edhe ia kemi dhënë licencën, nuk kanë dedektu asgjë në terren e pasi ka filluar me gërmu, ka kaluar një inspektor i Institutit Arkeologjik. I ka vërejtur makinat duke shpuar aty, edhe e ka telefonuar njërin prej punëtorëve tonë dhe janë ardh në takim. Aty [në Dollc] ishin kanë disa varreza ilire e ata nuk kanë mundur të e dinë se janë përfundi tokës dhe nuk i kanë vërejtur. E kemi ndalur punën dhe tash është në proces”, shton Krasniqi.

Drejtori i Institutit Arkeologjik Enver Rexha thekson se përtej 100 metrave të zonës së sigurisë përreth monumenteve të trashëgimisë kulturore, institucioni që e udhëheq nuk ka mekanizma për të ndaluar punën. Për më shumë, Rexha thotë se për arsye profesionale dhe mungesës së aparaturave teknike për incizime arkeologjike e magnetike, Instituti e ka të pamundur të përkufizojë saktësisht hapësirat arkeologjike.

“Në pamundësi të veglave dhe teknologjisë moderne, kur e evidentojmë një lokalitet, siç e kemi rastin tash tek gurthyesi në Majë të Zezë në Graboc, ne e kemi të evidentuar dhe e kemi në hartë arkeologjike si zonë. Kemi bërë përnjohje dhe njohja shkon mbi tokë, duke marrë materiale, shënime, literaturë, mirëpo aty nuk kemi gërmuar. Në 98% të rasteve, të evidencave të trashëgimisë kulturore që janë, e kemi të pamundur t’i incizojmë pasiqë na mungojnë aparaturat. E kemi të pamundur me e shënu saktësisht lokalitetin”, thotë Rexha.

Në praktikën e tanishme, perimetri i sigurisë u lejon bartësve të licencave të gërryejnë deri në 100 metra në afërsi të monumenteve arkeologjike. Gurthyesit kanë të drejtë të minojnë territorin në një largësi minimale 500 metra nga zona e trashëgimisë kulturore, ndonëse Ligji për Miniera dhe Minerale e ndalon ushtrimin e veprimtarive në sipërfaqe të tilla.

Neni 13, pika 1.10 e këtij ligji thekson se bartësi i licencës ose i lejes për shfrytëzim nuk do të ushtrojë asnjë veprimtari në ndonjë sipërfaqe që është vendi i ndonjë monumenti kombëtar i caktuar me ligj dhe zyrtarisht.

Nga krahasimi që është bërë nga Preportr i bazës së të dhënave të KPMM-së për gurthyesit me regjistrin e MKRS-së të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ka mbi 200 raste të operimit në zona të trashëgimisë kulturore, zyrtarisht nën mbrojtjen e shtetit.

Premtime për ndryshime ligjore

Këshilltarja politike e ministrit të Kulturës Hajrullah Çeku, Nora Arapi-Krasniqi, tregon se në prioritetet e MKRS-së në nismat e saj ligjore është edhe çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nga degradimi i mëtutjeshëm. Në këtë aspekt, ajo thekson se me planin dinamik deri në fund të këtij viti do të plotësohet legjislacioni sekondar i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të cilat do të plotësojnë dhe lehtësojnë zbatimin e ligjit aktual të trashëgimisë kulturore.

“Janë duke u përgatitur udhëzimet administrative dhe rregulloret që e plotësojnë dhe lehtësojnë zbatimin e ligjit aktual të trashëgimisë kulturore ku hyn edhe udhëzimi administrativ për kërkime arkeologjike. Ndër tjerash është edhe për bazat e konservimit në kuadër të planifikimit dhe udhëzimit administrativ dhe rregullorja për përcaktimin e kushteve të veçanta për ndërtim për perimetrat mbrojtës të aseteve të trashëgimisë kulturore në zonat mbrojtëse dhe sipërfaqet e mbrojtura”, thotë Arapi-Krasniqi.

JANË DUKE U PËRGATITUR UDHËZIMET ADMINISTRATIVE DHE RREGULLORET QË E PLOTËSOJNË DHE LEHTËSOJNË ZBATIMIN E LIGJIT AKTUAL TË TRASHËGIMISË KULTURORENora Arapi-Krasniqi, keshilltare e ministrit Hajrullah Çeku

Me anë të këtij legjislacioni sekondar parashihet të specifikohet qartësisht perimetri dhe zona mbrojtëse e hapësirave arkeologjike apo arkitekturore duke sqaruar se çfarë lloji i aktivitetit ekonomik mund të zhvillohet në ato zona.

“Përmes kësaj rregulloreje tentojmë që të specifikohet qartë perimetri dhe zona mbrojtëse e kualitetit arkeologjik, arkitekturor apo peizazhit kulturor dhe të përcaktohet qartë se çka mund të zhvillohet e çka jo, cilat aktivitete mund të zhvillohen dhe natyra e aktiviteteve komerciale, ndërtimore dhe etazhiteti”, thotë Arapi-Krasniqi.

Tutje, trashëgimia kulturore, e cila mund të jetë në rrezik nga faktorët ekonomikë, mjedisorë apo të tjera rrethana, sipas Arapit, do të tentohet të shpëtohet nëpërmjet intervenimeve emergjente. Në bazë të planit dinamik, nismat ligjore të MKRS-së parashihen të hartohen dhe miratohen në tre mujorin e tretë ose të katërt të vitit 2021.

KPMM: Kemi dështuar ta mbrojmë mjedisin

Më 28 qershor të këtij viti, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, njoftoi se ka vendosur një moratorium dy vjeçar për licencimin e gurthyesve të rinj dhe atyre në procedurë.

“Kam marrë vendim për vendosjen e moratoriumit për gurëthyesit e rinj dhe ato në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën dy vjeçare (qershor, 2021 – qershor, 2023). Pjesë e këtij vendimi është themelimi i grupit punues ministror, i cili do të shqyrtojë ligjshmërinë e aktiviteteve të gurthyesve, ndikimin e tyre në mjedis, si dhe masave që duhet të ndërmerren për rehabilitimin e tyre”, shkroi Aliu.

Me një vendim të tillë nuk pajtohet KPMM, që është organi i lëshimit të licencave për gurthyesit, duke theksuar se nisma e ministrit Aliu nuk ka bazë ligjore. Për më shumë, drejtori Krasniqi deklaron se vendimin për moratorium e mësoi nga mediat.

“Ne mendojmë se vendimi nuk ka bazë ligjore. Sepse, së pari, në vendim nuk shkruan për licencat e hulumtimit dhe shfrytëzimit, por shkruan vetëm gurthyes. Nuk është i harmonizuar me ligjet. Për shembull, ne kemi raste që ka licencë të shfrytëzimit edhe ai për t’i shfrytëzuar resurset duhet të mendojë se një gurthyes nuk mundet të bluaj. Këta që punojnë me minim, ministria, përkatësisht ministri, i ka ndaluar dhënien e pëlqimit, tash si do të punojë ai kur e ka licencën e shfrytëzimit, por Ministria s’i jep pëlqim? Mendoj se vendimi duhet të rishikohet, ne nuk jemi konsultu për këtë. E kemi marrë vesh nga mediat”, shton ai.

NUK KEMI ARRITUR TA MBROJMË MJEDISIN, SEPSE NUK KA PAS HARMONIZIM TË MJAFTUESHËM NË MES TË INSTITUCIONEVERamiz Krasniqi, drejtor i KPMM-së

Ndonëse moratoriumin që ndalon aktivitetet e gurthyesve e quan vendim jo ligjor, shefi i KPMM-së e pranon se kanë dështuar në mbrojtje të mjedisit.

“Nuk kemi arritur ta mbrojmë mjedisin, sepse nuk ka pas harmonizim të mjaftueshëm në mes të institucioneve. Nëse themi kemi arrit ta mbrojmë mjedisin, atëherë nuk është në rregull. Ne e pranojmë si KPMM se duhet një harmonizim nëpërmjet komunave, Ministrisë së Mjedisit, Policisë së Kosovës dhe KPMM-së për mbrojtje të mjedisit”, thotë Krasniqi.

Se institucionet kanë dështuar në mbrojtje të mjedisit e thotë edhe Ali Sefaj, zyrtar i lartë në Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, i cili problemin e mos mbrojtjes së mjedisit e sheh tek mungesa e stafit të inspektoratit në nivel nacional dhe lokal.

“Si rezultat i mungesës së stafit, inspektorëve komunalë dhe qendrorë, numri është i vogël dhe si rezultat i papërgjegjësisë, mund të them edhe i KPMM-së, i operatorëve dhe mekanizmave tjerë, vetëdijes jo të lartë shoqërore, ne kemi ardhë deri tek kjo fazë”, thotë Sefaj.

Sefaj thotë se moratoriumi dy vjeçar i vendosur nga MMPHI-së ofron një mundësi për të analizuar gjendjen aktuale të mjedisit në Kosovë dhe se është e pakuptimtë të futen operatorë të rinj në treg, pa filluar faza e rehabilitimit të mjedisit.

Gjatë realizimit të këtij hulumtimi janë kontaktuar për t’u intervistuar Ministri i MMPHI, Liburn Aliu, kabineti i tij, Imer Haklaj, drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore dhe kompanitë e gurthyesve, të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës për intervistë.

Ky hulumtim është realizuar në kuadër të pjesës praktike të “Shkollës për Gazetari Hulumtuese” e cila organizohet nga Organizata ÇOHU! dhe mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Redaktuar nga: Besa Kalaja./ preportr/ KultPlus.com

Të ngjajshme