3 Nëntor, 2020 - 2:30 pm
Qyteti i Gjakovës shtrihet në zonën jug-perëndimore të Republikës së Kosovës, përkatësisht është krijuar si nevojë e ndërprerjes së udhëtimeve të gjata mes qyteteve të Pejës dhe Prizrenit.
Qyteti i Gjakovës me 85 fshatrat e saj karakterizohet me pasuri të madhe të monumenteve të të gjitha kategorive ku përfshihen: komplekse, shtëpi tradicionale, kulla, xhami, kisha, teqe, medrese, mejtepe, kroje, mulli etj. Edhe pse si qyteti më i shkatërruar nga lufta e viteve 1998-’99 Gjakova ka arritur që në masë të madhe të ruaj –konservojë dhe restaurojë pasurinë e vet kulturore, edhe pse ka edhe mjaft punë për t’u bërë.
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme në të cilën janë përfshirë objektet e të gjitha kategorive për Komunën e Gjakovës janë evidentuar gjithsej 148 monumente, prej te cilave 38 monumente te kategorisë së trashëgimisë arkeologjike, 1 Kompleks i Tërësisë Urbanistike “Çarshia e madhe” dhe 109 monumente te trashëgimisë arkitekturore prej nga 8 kulla te qytetit dhe 23 kulla ne fshatra.
Gjakova është një nga qytetet më kulturore në Kosovë. Gjatë periudhës Osmane, Gjakova shërbeu si një qendër tregtare në rrugën midis Shkodrës dhe Stambollit. Në të kaluarën, ishte shtëpia e disa aktivistëve të shquar shqiptarë të cilët luajtën një rol në Lidhjen e Prizrenit në fund të shekullit të 19-të. Qyteti u prek keq nga lufta e Kosovës, duke pësuar shkatërrim të madh fizik dhe humbje në shkallë të gjerë njerëzore dhe abuzime të të drejtave të njeriut.
Saranda Hyseni, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë për KultPlus se në Gjakovë nuk është asnjëherë mjaft, sepse është një qytet që jeton me kulturën dhe artin dhe ka shije shumë të hollë. “Kjo na bën ne që çdo herë të mundohemi që të sjellim risi dhe kualitet. Po ashtu kemi hapësira të mjaftueshme, shumë shpejtë po e lëshojmë në funksion edhe Galerinë e Arteve, e munguar që disa dekada. Po ashtu shumë shpejt pritet të finalizohet edhe amfiteatri veror i qytetit i cili do të jetë unik për nga lloji në Kosovë”, ka thënë Hyseni , e cila më tutje tregon se ka një mori aktivitetesh që zhvillohen në Gjakovë, e shumë prej tyre janë tradicionale.”Përkundër gjendjes pandemike po mbahet festivali për fëmijë “Lyra Fest” po ashtu jemi në përgatitje të një premiere në teatrin e qytetit “Hadi Shehu”, dhe duke shtuar po ashtu se gjatë gjithë pandemisë kanë pasur aktivitete online që në një farë forme kanë arritur sado pak ta zbusin zymtësinë e kohës”, ka thënë ajo.
Hyseni për KultPlus poashtu thotë se interesim ka mjaft, prandaj kjo i shtynë çdo herë të bëjnë aktivitete të reja si dhe gjithmonë kualitative. “Ne, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport kemi disa forma të mbështetjes për të gjitha OJQ- të e kulturës. Duke filluar prej subvensioneve vjetore që ndahen si dhe bashkë organizimet dhe lirimi i hapësirave adekuate. Secili drejtor dëshiron që ta rris kualitetin për periudhën që udhëheq me drejtori. Besoj se kjo periudhë katër vjeçare do mbahet mend për investimet e shumta që janë bërë e që do mbesin trashëgimi për brezat e ardhshëm”, ka thënë ajo.
Sipas Hysenit trendi gjithmonë është pozitiv sa i përket asaj që çfarë është dhe nuk është e zhvilluar, mund të kenë pasur ngecje aty këtu por në përgjithësi ka shkuar mbarë çdo gjë deri sa filloj faza pandemike që ndryshoi çdo gjë. Ajo më tutje shtoi se sa i përket fondeve dhe mbështetjeve që marrin “Përpos grandit qeveritar dhe të hyrave vetanake të komunës, në vazhdimësi ne kemi dhe mbështetje financiare në projekte të ndryshme nga organizata ndërkombëtare”.
Gjatë pandemisë Hyseni tregon se për dy muaj, çdo natë kanë ofruar shfaqje teatrale në bashkëpunim me të gjithë teatrot e Kosovës. Po ashtu, kanë organizuar edhe ekspozitë online me të gjithë piktorët e komunës së Gjakovës. Sa i përket hapësirave publike Hyseni për KultPlus ka thënë se ka mjaftueshëm hapësira, por që së shpejti do të lëshohen në funksion edhe disa të tjera. Kurse gjatë këtij viti ajo tregon se në bazë të disa aktiviteteve që do të zhvillohen do të jenë disa festivale të ndryshme. Për fund ajo thotë “Mbështetja nuk ka munguar e nuk do të mungoj asnjëherë për projektet e mira që vjin për mbështetje tek ne” për të gjithë ata që janë të interesuar për të zhvilluar ndonjë aktivitet kulturor në qytetin e Gjakovës, shtoi ajo për KultPlus.
Edi Kastrati, aktor i njohur i Kosovës, njëherit edhe drejtor i përgjithshëm i Teatrit të qytetit të Gjakovës “ Hadi Shehu”, ka treguar për KultPlus se sa i përket aktiviteteve kulturore që zhvillohen në teatrin e Gjakovës, janë aktivitete të artit skenik. “Teatri prodhon vetem shfaqje teatrale ndërsa bën edhe bashkëpunime tjera”, duke shtuar më tutje se gjendja e teatrit i plotëson të gjitha kërkesat e nevojshme. Kastrati i pyetur se çfarë ka pasur mangut ky teatër dhe çfarë ka ndryshuar pas ardhjes së tij, ka thënë se “Nga ardhja ime si drejtor ,duhet ti pyesni të tjerët për mua, unë vetëm mundem me thanë se ka qenë tepër keq dhe është i kompletuar dhe ndoshta më i miri në Kosovë” tha ai për KultPlus. Ku më tutje i cili thotë se sa i përket aktiviteteve “Së pari duhet të ndryshoj gjendja e pandemisë e mandej të vazhdojmë me aktivitetet e shumta që kemi pasur gjithmonë dhe që do t’i kemi” tha Kastrati për KultPlus.
KVRL-Gjakovë, organizatë jo qeveritare, sa i përket angazhimeve kulturore, organizon aktivitete të ndryshme të cilat e promovojnë talentin e të rinjve, kryesisht në muzikë dhe art. Poashtu punon për ngritjen e vetëdijes për mbrojtje e trashëgimisë kulturore të Gjakovës me aktivitete promovuese dhe vetëdijesuese së bashku me organizatat anëtare dhe ato partnere. Ideal Zhaveli, udhëheqës i kësaj organizate ka treguar për KultPlus se mbështetjen e kanë nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet komunale, si Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por poashtu edhe nga drejtoritë tjera përkatëse ku bashkëpunojnë për aktivitetet e tyre.
“Së fundmi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit na ka përkrahur me një subvencion për angazhimin e të rinjve në art përmes muraleve, poashtu edhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, na ka përkrahur me një subvencion vjetor i cili ndihmon në promovimin e talenteve të rinj përmes vullnetarizmit duke shprehur talentin e tyre në art”.
Si qytetar i Gjakovës, Zhaveli mendon që duhet të bëhet më shumë rreth aktiviteteve kulturore. “ Bashkëpunimi mes institucioneve dhe organizatave lokale, duhet të jetë më i madh për të punuar për aktivitete kulturore, të cilat promovojnë Gjakovën por edhe mbrojnë objektet e trashëgimisë kulturore”. Ndryshimin të cilin Zhaveli do të donte ta shihte, është ndoshta një komunikim i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe aktereve që punojnë në këtë drejtim, që të kenë informacionin e saktë se çfarë duhet të ndërhyhet apo të zhvillohet në komunën e Gjakovës.
Zhaveli për KultPlus tregoi më tutje se “Aktivitetet kulturore në Gjakovë, kryesisht i ndjek ato muzikore dhe teatrin e qytetit “ Hadi Shehu “, të cilat mendoj që janë të shumta në Gjakovë por që këtë vit kishte më pak për shkak të pandemisë” shtoi ai për KultPlus, sa i përket aktiviteteve kulturore që ai i ndjek. Linda Krasniqi/ KultPlus.com