4 Tetor, 2018 - 2:30 pm
Gjatë sezonit turistik të këtij viti 20% e vizitorëve ishin turistë kulturorë. Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në fjalën e saj në Kuvend.
“A e dini sa ka qenë numri i vizitorëve në kalanë e Gjirokastrës në 2013, 6 900 vizitorë, 96 mijë të tillë shënoi deri në shtator të këtij viti kjo kala”.
Duke iu drejtuar opozitës, Kumbaro u shpreh se “kur guxojnë të flasin sot ata që nuk i lanë kusur Gjirokastrës dhe e lanë në atë derexhe. Por, nuk do të merrem me ta se vëmendja jonë është tek kultura tek njerëzit. Vëmendja jonë është tek kultura, tek Gjirokastra dhe gjirokastritët, që bënë sa mundën, e shumë herë nuk mundën të bënin gjë sepse u gjendën vetëm. Kjo ishte Gjirokastra që gjetëm me sokaqet copë-copë, me zemrën e qendrës historike të sfilitur dhe ajo Gjirokastër as me tre hotele në gjithë qytetin dhe me një restorant e gjysmë”.
Prandaj, vijoi ajo nuk kishim asnjë dilemë se Gjirokastra ishte dhe mbetet një prioritet.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se investimet për turizmin e trashëgimisë kulturore nuk do të ndalen.
“Besoj kemi qenë të qartë në këtë projekt për t’i kthyer Gjirokastrës vëmendjen e munguar . 91 oferta fjetje kemi sot dhe kjo në më pak se katër vite.Vetëm në qafën e Pazarit 3 milionë dollarë investime me partnerët tanë strategjikë siç është Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin . U restauruan mbi 5 mijë metra katrore që në fakt janë prona të gjirokastritëve të vlerësuara dhe nuk do ndalemi. Kemi nisur punën në Gjirokastër me Bankën Botërore për fazën e dytë të restaurimeve me një fond prej 10 milionë dollarësh bashkë me Beratin, Sarandën, Përmetin ku marrëveshja me BB shkon në 71 milionë dollarë për turizmin e trashëgimisë kulturore”, theksoi ajo.
Ministrja Kumbaro tha se “në katër vitet e fundit 2014-2018 kemi ngritur investime nga partnerët ndërkombëtarë dy herë më shumë seç është fondi i investimeve publike në kulturë. Në 8 vite nga 2005-2013, të paktën në kujtesë nuk na kanë mbetur asgjë. Të gjitha ata që e vizituan janë të mrekulluar, edhe nga sa mirë e kemi ruajtur. Së bashku do të jemi këtu për të prezantuar projekte të reja”, shkruan ata./ KultPlus.com