11 Prill, 2024 - 12:20 pm
Disa vepra të mrekullueshme arti janë zbuluar në një sit të ri gërmimi në Popei, qytetin e lashtë romak që u gropos në hirin e vullkanit të Malit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit.
Arkeologët thonë se afresket janë ndër më të bukurat që janë gjendur deri më tani në rrënojat e qytetit antik. Figura mitike greke si Helena e Trojës shihen në muret e larta të zeza të një salle të madhe banketesh.
Dyshemeja e mozaikut pothuajse e kompletuar e dhomës përfshin më shumë se një milion pllaka të bardha.
Një e treta e qytetit të humbur mbetet ende për t’u pastruar nga mbeturinat vullkanike. Gërmimi aktual, më i madhi që bëhet gjatë këtij brezi, e pozicionon edhe një herë Pompein si dritaren kryesore në botë për njerëzit dhe kulturën e perandorisë romake.
Drejtori i parkut Dr. Gabriel Zuchtriegel e prezantoi “dhomën e zezë” ekskluzivisht për BBC të enjten.
Ka të ngjarë që ngjyra e errët e mureve të ishte zgjedhur për të fshehur depozitat e tymit nga llambat e përdorura gjatë argëtimit pas perëndimit të diellit.
“Në dritën vezulluese, pikturat pothuajse do të kishin marrë jetë,” tha ai.
Një bllok i gjerë rezidencial dhe tregtar, i njohur si “Rajoni 9”, po pastrohet nga disa metra shtufi dhe hiri i hedhur jashtë nga Vezuvi pothuajse 2000 vjet më parë.
Stafi duhet të lëvizë shpejt për të mbrojtur gjetjet e reja dhe të heqin sa munden nga depoja.
Për afresket që duhet të qëndrojnë në pozicion, një ngjitës suvaje injektohet në pjesën e pasme të tyre për të parandaluar largimin nga muret. Muratura është duke u mbështjellë me skela dhe sipër zonës po vendoset një çati e përkohshme. / KultPlus.com