18 Tetor, 2022 - 6:00 pm
Gjerasim Qiriazi (1861-1894). Atdhetar, pedagog dhe publicist. Lindi në një familje patriote kolonjare të vendosur në Manastir. Punoi për përparimin e shkollës shqipe, bashkë me motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi.
Shkolla e vajzave me të drejtë mund të quhej kombëtare, për faktin se Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi e ngritën atë jashtë çdo ndikimi të dasive fetare. Dy herë u përpoqën turqit ta eleminonin fizikisht. Por, Gjerasim Qiriazi ia arriti në tetor të vitit 1892, të çelte në Korçë shkollën e dytë shqipe (për vajza), nën drejtimin e Sevasti Qiriazit, motrës së Gjerasim Qiriazit, e cila është institucioni i parë edukativo-arsimor për vajza, i themeluar po ashtu me nismën e rilindasve.
Më 1882 kreu me rezultate të larta studimet biblike në Kolegjin Teologjik Amerikan në Samokovë në Bullgari. Në të njëjtin vit u bë pastor praktikant në Bullgari. Më 1883 mori pjesë në Komitetin e Huaj Protestant në Turqi dhe u caktua ungjilltari i shqiptarëve. Më 1883 vendoset në Korçë ku filloi aktivitetin e tij teologjik, filloi të shkruajë himnet e para në shqip dhe u bë përgjegjës për shpërndarjen e ungjillaturës në shqip. Më 1884 mbajti shërbesë në shqip në kishën ungjillore të Selanikut dhe në atë të Manastirit. Më 1887 filloi të japë mësim në shkollën e parë shqipe në Korçë.
Dëshira e tij për t’u dhuruar shqiptarëve sa më shumë literaturë shqipe e shtyu që më 1888 të përkthejë e të botojë Ungjillin e Mateut dhe një vit më vonë, me sugjerim të mikut të tij, Naim Frashëri, filloi transkriptimin për botimin e pesë librave të parë të Biblës si tekste shkollore. Në të njëjtin vit mori ndihma dhe përkrahje nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut, nëpërmjet veprimtarëve, si: Nikolla Naço, Pandeli Sotiri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Mihal Grameno, Kristo Dako etj.
Më 1892 së bashku me Sevastinë, Gjerasimi përgatit planin dhe projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe Shkollën e të Dielës në Korçë.
Më 14 nëntor 1892 themeloi Kishën Ungjillore të Korçës dhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” me qendër në Korçë dhe në vijim boton numrin e parë të gazetës së shoqërisë “Letra e Vëllazërisë”. Ka shkruar shumë vjersha e këngë, të cilat u botuan pas vdekjes së tij më 1903, në Sofje, në librin me titull “Kristomaci”.
Vdiq më 2 janar 1894, në moshën 35-vjeçare.
Më 1987 Gjerasim Qiriazit iu dha titulli “Mësues i Popullit” dhe më 1992, iu akordua titulli “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë”./ KultPlus.com