6 Janar, 2019 - 10:50 pm
Kanë kaluar gati 4 vjet që këto gjetje të rëndësishme arkeologjike sillen nëpër oborret e institucioneve të Klinës.
Para disa viteve, ishin vendosur në oborrin e komunës së Klinës, ndërsa tani janë vendosur në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.
Këto gjetje arkeologjike janë zbuluar në një pjesë të Dresnikut dhe i përkasin periudhës romake.
Por, deri tani, për to nuk është kujdesur askush, ani pse janë gjetur në një prej lokaliteteve më të veçanta arkeologjike në Kosovë.
Në komunën e Klinës fajësojnë qeverisjen e kaluar që nuk u ka bërë vend askund, e premtojnë që shumë shpejt kjo çështje do të zgjidhet.
Skënder Merturi, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Klinë, thotë se në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut është duke u punuar shumë ngadalë dhe kanë probleme të shumta me fonde.
Arkeologët besojnë se gjetjet në Dresnik të Klinës i përkasin një banese aristokrate romake dhe janë mjaft të rëndësishme për historinë.
Për konservimin e tyre, Kohavisioni ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë javës. /KultPlus.com