4 Janar, 2018 - 3:15 pm
Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve, njësive dhe zyrave, për të raportuar për planifikimin e muajit janar, mbledhje kjo e cila u transmetua drejtpërdrejt nga radiot lokale.
Në këtë mbledhje kanë qenë në fokus edhe përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2018”, për të cilin u tha se është gjithçka gati për të nisur në mënyrën më të mirë.
“Gjatë këtij muaji, fokusi kryesor është manifestimi “Flaka e Janarit”, i cili i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur. Ky manifestim është tejet i rëndësishëm pasi i kushtohet vlerësimit të dëshmorëve të kombit, të cilët u sakrifikuan për ditët e sotme. Këtë vit, do ta nderojmë edhe njeriun i cili dha shumë për lirinë e shqiptarëve, heroin Metush Krasniqi”, ka thënë kryetari Haziri./ KultPlus.com